Mahmut Ferati: Dikur jo çdo kush mund të bëhej këngetar/e pa patur talentin, derisa sot jo gjithmonë ka kualitet dhe vlera

  • A.P /
  • 03 January 2021 - 14:00
Mahmut Ferati: Dikur jo çdo kush mund të bëhej këngetar/e pa patur talentin, derisa sot jo gjithmonë ka kualitet dhe vlera

Intervistë me këngëtarin MAHMUT FERATI

Mahmut Ferati, radhitet ndër emrat më të njohur të muzikës popullore shqiptare, i cili tash e sa dekada i ka falur muzikës shqipe shumë këngë të bukura, të cilat i kanë rezistuar kohës.

Përmendim këtu: "Mos më kërko", "Ku e kemi vëllaun", "Shko", "Thuaj", "Loti në faqe", e shumë hite të tjera, të cilat Mahmut Feratin e bëjnë shumë të dashur për publikun.

 
Image

Në një intervistë për gazetën “Kosova Sot Online”, këngëtari i njohur Mahmut Ferati rrëfehet për shumë gjëra rreth jetës, duke filluar nga fëmijëria e tij, projektet muzikore, punën si profesor i Edukatës Muzikore, për këto dhe shumë çështje të tjera ju ftoj ta lexoni intervistën në vijim.

Image

“Kosova Sot Online”: Keni vite në skenë, gjatë viteve të 80’-90’ këngëtarë kishte më pak e vlera më shumë, gjersa sot po ndodh e kundërta, si këngëtar i mirëfilltë i muzikës popullore shqipe, a mund të na bëni një paralele të zhvillimit të muzikës atherë dhe sot?


Mahmut Ferati: Po, vërtetë në atë kohë kishte vlera. E keqja ishte cenzura, se po t’mos ishte cenzura, lirisht mund të konstatojmë se ishte më mirë se sot, por ishte më vështirë për të ardhur deri te një realizim i mirë. Pse? Sepse kishte kritere artistike në të gjitha zhanret muzikore, si në Festivale, inxhizime, në media si elektronike dhe në ato te shkruara. Jo çdo kush mund të bëhej këngetar/e, sepse s’mund të kaloje pa patur talentin dhe aftësitë.

Jeta në liri, zhvillimi dhe avansimi i teknologjisë, arsimimi dhe edukimi-progresi shoqëror dhe zhdukja e paragjykimeve ka hapur shtigje të reja për mundësinë e secilit. Në këto mundësi jo gjithmonë ka kualitet dhe vlera, dhe jo gjithmonë ka edhe talent. Muzika e tanishme është më tepër muzikë çasti, sezone, sepse teksti është më i shkurtë, më me pakë përmbajtje dhe frazat muzikore janë të përseritura. Ato janë të këndshme për dëgjimin momental por të paqendrueshme për kohën.

“Kosova Sot Online”: Së fundi keni lansuar baladën më të re “Vrave një zemër vrave një dynja”, sa jeni ndarë të kënaqur me këtë realizim, dhe kush janë autorët e këngës?

Mahmut Ferati: Po, së fundmi kam shumë këngë por do të veçoja këngën "Vrave një zemer vrave një dynja", e propozuar nga z.Emrush Thaçi (Emra Com), ku kishte dëshirë të këndoja këtë këngë me nostalgjinë e baladave me të hershme të mijat si: "Thuaj", "Loti në faqe", "Shko" etj. Këngen e ka orkestruar dhe kompozuar Nexhat Mujovi (Wirussi). Tekstin e ka shkruar Ghulo dhe videoprojektin e ka realizuar Max Production dhe Emra Com. Kënga është realizuar shumë bukur dhe jam i kenaqur nga të gjithë.

Image

“Kosova Sot Online”: Cilat janë pesë këngët e tua, që kanë lënë gjurmë në muzikën shqipe?

Mahmut Ferati: Këtu, e kam më së vështiri të përgjigjem, pasi kam shumë këngë dhe hite por disa që ja vlen të përmenden janë: "Dy lulkuqe një bojpembe", "Moj e mira qufurake", "Çka po thu", "Loti në faqe" dhe "Maturanti".

Image

“Kosova Sot Online”: Thuhet se vitet e fëmijërisë janë më të ëmblat, na kujtoni ndonjë ngjarje, për të cilën edhe sot ke nostalgji?

Mahmut Ferati: Nostalgjia më e madhe është çdo herë vendlindja, ku fillimet e mija të këngës ishin me vëllaun tim të ndjerë Murtezan Ferati, këngetar e fizharmonikist shumë i talentuar, ku për çdo natë mblidheshim nëpër oda e ja thonim këngës. Ky është njëri ndër kujtimet më nostalgjikë, ku do të kisha dëshirë që të kthehesha përsëri.

Image

“Kosova Sot Online”: Në mesin e shumë dueteve të sukseshme që keni realizuar ndër vite, dua t’i veçoj duetet e realizuara së fudmi me këngëtarin dhe mikun tuaj Shaqir Cervadiku “Kënga e Baxhanakëve”, “Masakra e Poklekut”, e shumë duetet tjera, përveç këngëve do doja edhe një vlerërësim për mikun tuaj Shaqir?

Mahmut Ferati: Po, unë gjatë jetës kam patur shumë duete të suksesshme me shumë kolegë/e si: fillimisht me Milaim Mezinin, pastaj Shyhrete Behlulin, Shkurte Fejzen, Nikollë Nikprelaj, Vjollca Selimin, Flora Gashi, Sala Bekteshi, Valmir Shalen etj, por me Shaqen kam filluar bashkpunimin që në vitet e 80-ta. Na ndau vetëm mergimi, ku ai mori rrugë ku edhe sot gjendet atje. Shaqa rrjedhë nga një familje me traditë të kënges dhe është krijues i dëshmuar dhe i pëlqyer nga artëdashësit e kënges.

Këtë vit i patëm disa duete me të, disa tema të larmishme dhe auditori ynë i pëlqeu shumë.

“Baxhanaku”, ishte një satirë nga jeta jonë e përditshme në familjet tona, ku respekti më shumë bëhet për baxhanakun se për vëllaun, kurse ‘’Masakra e Poklekut” është këngë shumë e qëlluar dhe prekëse, edhe pse ndoshta jemi vonuar pak, sepse kjo do duhej të realizohej më herët, sepse ishte një ngjarje e rëndë që s’duhet harruar për asnjë çast. Në popullin tonë, kënga është ajo që dëperton shpejt në zemrat e tyre. Në këtë rast falenderoj autorët: Fatmir Muja dhe Milaim Islami.

Image

“Kosova Sot Online”: Përveç muzikës, jeni dhe Profesor i Edukatës Muzikore, gjenertat më të sukseshme ishin dikur apo tani?

Mahmut Ferati: Të jesh profesor në një institucion shkollor, është një privilegj i madh por edhe një barrë e madhe. Gjeneratat gjithmonë dallojnë ndër kohë, mirëpo nuk mund ta veçojë se cilat ishin më të suksesshme, sepse unë gjithmonë mundohem të japë maksimumin në ligjërim. Ndoshta gjeneratat e më hershme, ishin më të disiplinuar, mirëpo të gjitha gjeneratat në kohën e vetë kanë qenë dhe janë të përkushtuar maksimalisht drejtë nxënjes së dijeve, derisa rrugëtimi i tyre gjatë shkollimit pëson ndryshime në proces.

Image

“Kosova Sot Online”: Ndër vite i keni kënduar prindërve, vajzave dhe trimave shqiptarë, gurbetqarëve, por kënga kushtuar Maturantëve s’do të harrohet kurrë?

Mahmut Ferati: Kam bërë përpjekje që ti përfshijë të gjitha temat në repertuarin tim muzikor, mirëpo kënga e "Maturantëve", është këngë që bartet nga gjenerata në gjeneratë. Duke qenë pjesë e procesit mësimor dhe angazhimit tim me maturantë, ajo frymon gjithmonë dhe nuk harrohet.

Image

“Kosova Sot Online”: Si e gjithë bota edhe Kosova po përballet me luftën kundrejt koronavirusit (COVID-19), si i kalojë këta muaj Mahmuti, duke marrë për bazë se gjatë vitit 2020 mbrëmjet muzikore dhe dasmat u anuluan nga Qeveria?

Mahmut Ferati: Viti 2020, ka qenë një vit plotë sfida për të gjithë botën. Për mua ka qenë një vit jo i bujshëm në aspektin profesional, jo profitabil, megjithatë na ka mundësuar të gjithëve që ti përkushtohemi me shumë familjes. Mirëpo, me krijimin e këngëve nuk kam ndaluar, pasi që janë lansuar disa projekte të reja gjatë këtij viti. Shpresojmë që viti 2021, do të jetë një vit i mbarë, të gëzojmë shëndet dhe ti kthehemi normalitetit të jetës.

Image

“Kosova Sot Online”: Gjatë vitit 2020 u shuan fizikisht artistët që lanë gjurmë në muzikën shqipe si: Nexhmije Pagarusha, Ismet Peja e Shahindere Bërjalolli, a është momenti i fundit që shteti t'i kushtojë vëmendje më shumë artistëve?

Mahmut Ferati: Ndonjeherë, kam bindjen se si shumë thirremi në Institucionet shtetërore, bile ndonjëherë edhe e teprojmë me kritika, sepse shteti s’mund të bëhet guardian i çdo elementi kulturorë. Nëse thirremi shumë në shtetin, atëherë duhet edhe ne artistët t’i shlyejmë obligimet ndaj shtetit dhe pastaj të kërkohet llogaria dhe mbrojta nga shteti. Me përjashtim të tjerëve, zonja Nexhmije, viteve të fundit e kishte sadopakë një përkujdesje nga shteti, kurse emra të tjerë gjigant të skenës si: Ismet Peja, Liljana Qavolli, nuk e di t’kenë pasur ndonjë përkujdesje. Jo vetëm keta/o, por edhe rapsodët që kanë lënë gjurmë si: Sali e Feriz Krasniqi, Hashim Shala, Tahir Drenica, Avgustin Ukaj etj, kanë shkuar në amshim pa asnjë përkujdesje institucionale! Duke i mbrojtur artistët me vlerë, mbrohet kultura e një populli.

Image

“Kosova Sot Online”: A keni planifikuar ndonjë këngë të re, pse jo edhe ndonjë album gjatë 2021 - të's?

Mahmut Ferati: Këtë vit, kam lansuar disa projekte, që pritet të bëjnë pjesë në album.

Image

“Kosova Sot Online”: Cilat janë tri gjërat që ëndërron t'i ralizosh deri në fund të jetës?

Mahmut Ferati: Një koncert solistik timin për adhuruesit e kënges time, përmbledhjen e disa këngeve të mija, të jenë të notizuara dhe të përpunohen për këngë korale dhe një dëshirë e imja e veçantë është shtëpia e mbushur me nipa e mbesa, ti përjetojë përqafimet dhe rriten e tyre.

Image

“Kosova Sot Online”: Për fund, cila është motoja dhe urimi Mahmut Feratit, për Vitin e Ri 2021?


Mahmut Ferati: Duke qenë se jemi ende në kohë pandemie, motoja ime është Kujdes, ndërsa uroj të gjithë shqiptarët të kenë shëndet, mbarësi, begati e shumë dashuri dhe për ne këngetarët krijimtari të bujshme dhe me vlera.

Intervistoi: Armend Preteni

Image

(Kosova Sot Online)