Pianistja Nita Grubi, modeli shembullor për shumë artistë të rinj

  • A.P /
  • 18 June 2021 - 19:44
Pianistja Nita Grubi, modeli shembullor për shumë artistë të rinj

Progresi i artistit dhe ngritja e personalitetit skenik është një vetësakrificë e vazhdueshme

Shkruan: Besiana. Q. Mehmedi

Nita Grubi është mbesa e të ndjerit-veteranit të muzikës shqipe në RMV Gani Grubi dhe vajza e dy profesorësve dhe artstëve të njohur muzikor Blerim dhe Arjana Grubi. E rritur në një ambient ku “kryefjalë” ishte dhe mbetet muzika dhe ruajtja e vlerave tona ajo do të fillojë herët daljen në skenë dhe atë që në festivalet e fëmijëve por duke ndjekur që atëherë një shkollim të mirëfilltë muzikor.

Talenti i Nita Grubit por edhe puna dhe këmbëngulja për të përsosur vetveten në artin e pianos do ta bëjë që vazhdueshëm të sprovohet me pjesëmarrje në gara kombëtare e ndërkombëtare ku ekspertët e kanë vlerësuar me çmime të para. Do të kujtojmë këtu çmimin e parë në festivalin “Pianisti i ri” 2013 dhe ekzekutimin e mrekullueshëm me Filharmoninë e Kosovës si dhe çmimin e dytë në garat ndërkombëtare në Slloveni po të njejtin vit. Progresi i artistes Nita Grubi vjen nga dëshira e vazhdueshme për t’iu përkushtuar çdo ditë-me orë të tëra ushtrimit dhe mësimit të programit të ri nga kompozitorë të të gjitha epokave muzikore nga ata të renesansës, paraklasicizmit, klasicizmit, romantizmit e deri tek muzika e shekullit XX dhe kompozitorët shqiptar. Ky eksplorim i vetvetes ka bërë që Nita Grubi të mos ndalojë rrugëtimin në përsosjen e teknikës së të ekzekutuarit në piano as me mbarimin e fakultetit, andaj aktualisht ajo vazhdon studimet post-diplomike në Fakultetin e artit muzikor në Shkup.

Ecjen këmbëngulëse në rrugën e vështirë të artit të pianos dhe nivelin e aritistes së re patën mundësi ta shohin një pjesë e madhe e profesionistëve dhe publikut artdashës në koncertin solistik të mbajtur në Sallën Kamertale të Filharmonisë së Maqedonisë me datë 16 qershor me fillim në orën 20:00. Ajo që vihej re ishte prezenca e një numri të madh të emrave të profesionistëve të fushës të cilët nga dëshira dhe kërshëria për të parë për së afërmi arritjen dhe nivelin e artistes së re ishin bërë pjesë e një programi të  përzgjedhur nga Rachamninoff, Shubert dhe Scriabin. Dalja e Nitës në skenë dhe dukja e saj reflektonte modestinë dhe karakterin e një pianisteje të re por shumë të përkushtuar. Fillmisht u ekzekutuan “Prelude” op 23 nga Rachamninov të cilat i takojnë periudhës së viteve 1901-1903 dhe paraqesin vështirësi si në aspektin teknik të ekzekutimit ashtu edhe në atë interpretativ. Meqenëse këto prelude janë forma që braktisin “skemat” e Chopen e Bach  duke u trajtuar si forma më të gjata dhe komplekse polifonike ku pjesët muzikore janë të pavarura dhe në momente të caktuara paraqesin edhe kulminacione romantike bëjnë akoma më të vështirë realizimin e tyre. Nga 10 prelude op 23 të S. Rachmaninoff , u ekzekutuan No 1 “Largo” në fis-mol, No 3 “Tempo di minuetto” d-mol, No 4 “ Andante cantabile” në D-Dur, No 5 “Alla Marcia” g- mol ku dallohet për vështirësi teknike posaqërisht No 3, por pa anashkaluar numrat tjerë që paraqesin sfida delikate ekzekutuese, kulminacione emocionale që kërkojnë virtuozitet por edhe kontroll dhe zotërim të mirëfilltë teknik dhe dinamik. Të ekzektuarit e kompozimeve të e S. Rachamninoff (1843-1973) që ishte edhe pianist, mbetet sfidë e vazhdueshme për çdo artist edhe pas shumë vitesh eksperiencë dhe dalje në skenë kurse Nita Grubi këtë e bëri me një lehtësi të jashtëzakonshme që u përcoll me duartrokitje frenetike pas ekzekutimit të prelude No.5 që në aspektin melodik dhe ritmik paraqet pjesë jashtëzakonisht koncertale dhe interesante për publikun që vjen përmes kulminacioneve muzikore të frymës neo-romantike.

Pra, përmes këtyre katër preludeve, Nita paraqiti delikatesën e saj emocionale, por edhe teknikën e të goditurit të fuqishëm dhe lojës së bindshme në tastierë në moment të caktuara që paraqiste sigurinë e saj në raport me instrumentin. Pas S. Rachamaninoff u ekzekutuan “Impromptus” D 899/ Op. 90 me kohët “ Allegro molto moderato” c – mol, “ Allegro” es- mol, “Andante” Ges- Dur dhe Allegreto, As- Dur nga kompozitori tipik romantik i pjesës së parë të romantizmit F. Schubert (1797-1828). Pjesa e parë karakterizohet nga melodia e një marshi e cila vjen në formë variacioni duke u zhvilluar fuqishëm përmes modulimeve në tonalitete të afërta deri tek përfundimin final që na rikujton melodinë kryesore kurse pjesa e dytë karakterizohet me shkathtësinë ekzekutuese që kërkon përgatitje të mirë pianistike andaj kjo pjesë u veçua për lojë të pastër dhe tingull të qartë posaqërisht gjatë ekzekutimit të pasazheve aspak të lehta.

Alterimet e ndjeshme dhe koda në pjesën e fundit e bënë akoma më komplekse këtë pjesë që zgjoi vëmendje të veçantë tek publiku. Pjesa e tretë solli lojë tipike romantike-emocionale, të ndjeshme dhe subtile që u realizua në mënyrë të mrekullueshme. Pjesa e katërt me arpezhot në fillim të cilat më vonë zëvendësohen edhe me akorde bëjnë të veçantë këtë pjesë duke përmbyllur këtë vepër që bindshëm shpalosi pjesë tjera të karakterit në ekzekutimin dhe aftësive të pianistes sonë Nita Grubi. Pas Shubert u ekzekutuan pjesë nga A.Scriabin (1872-1915) një pianist dhe kompozitor i ndikuar fillimisht nga romantizmi poetik i Chopin për të kaluar më vonë në një gjuhë të zhvilluar atonale të rrugës së Schoenberg dhe të filozofëve që përputhen me sintezën e tij të metafizikës dhe të ngjyrave që konsiderohet edhe si krijuesi më i madh simbolist i epokës që vazhdon të mbetet “kafshatë e madhe” për shumë pianistë posaqërisht të moshës së Nita Grubit.

Sonata no.2 op 19 në gis-mol me pjesët “Andante” dhe “Presto” ishte befasia e mbrëmjes pikërisht për arsyen se në momentin që energjia e saj mendohej të jetë “konsumuar” në veprat paraprake ajo arrin të ekzekutojë bindshëm veprën e fundit që ndryshe quhet “Sonata fantazi” për të cilën kompozitorit iu deshën plot pesë vite për ta kompozuar. Kjo sonatë konsiderohet të ketë përfunduar më 1898 pikërisht pas martesës së tij me pianisten e re Vera Isakovich kur arrin kulminacioni i suksesit të tij në tërë Rusinë dhe në Paris me etydën op 8,  prelude, koncertin për piano dhe tre sonata e para në mesin e të cilave dallohet nr.2 që duket të jetë kompozuar nën ndikimin e gjuhës muzikore të Bethoven dhe “Sonatës së hënës”.

Pjesa e parë e kësaj vepre filloi me efekte të jehonës të përcjellura përgjithësisht me seksione lirike që paraqet ndikimet e frymës shopeniane. Ndryshe nga pjesa e parë “Andante”, pjesa e dytë “Presto” solli kontraste të mprehta, kreshendo dhe dekreshendo alternative që paraqesin çdoherë elemente të impresionizmit muzikor përmes figurave që krijojnë përshtyjen e dallgëve dhe thellësisë së detit që në mënyrë simbolike paraqet edhe rrjedhën e jetës së njeriut.

Nita Grubi të gjitha këto elemente të stileve muzikore të kompozitorëve na i solli në një mbrëmje të mbushur me ngjyra pianistike. Natyrisht që secili nga ata që patën mundësinë dhe dëshirën ta ndjekin për së afërmi këtë koncert ndjeu emocion e kënaqësi për shumë arsye: e para se para spektatorëve paraqitej një femër shqiptare nga gjenerata e re, por mjaft e pjekur artistikisht, e cila do të japë kontributin e saj në jetën skenike-koncertale dhe pedagogjike për çka kemi aq shumë nevojë dhe e dyta që vjen në një kohë të një “tranzicionit të egër” duke ecur me “këmbë në tokë” për të synuar kualitetin, përsosmërinë, ngritjen e vazhdueshme duke dhënë kështu shembull e duke u shëndërruar në “model” për shumë studentë, të rinjë e vajza se nuk mjafton vetëm mbështetja e familjes dhe orientimi i një mentoreje shembullore si prof.dr.Marija Gjoshevska pa këmbëngulje, punë të vazhdueshme dhe vetsakrificë që janë garanca e vetme e suksesit në çdo profesion e posaqërisht në rrugën e artit skenik, të krijimit të personalitetit dhe në ndërtimin e karrierës solistike.

(Autorja është prof.inordinar në Universitetin e Tetovës)

(Kosova Sot Online)