Lindja, procesi dhe promovimi i koreografisë “Vallja e Rekës”

  • A.P /
  • 22 December 2021 - 14:37
Lindja, procesi dhe promovimi i koreografisë “Vallja e Rekës”

Në kuadër të programit të punës 4 vjeçare të drejtorit Shkodran Tolaj, parashihej në vitin e dytë, pra pas arritjes së një pjekurie artistike nga vallëtarët e Ansamblit dhe një teknike të konsoliduar vallëzimi të gjurmohet në rajonin e Rekës. Reka e Rilindasit të madh Josif Bagerit, edhe sot identifikohet me muslimanë e ortodoks të cilët veshjen, traditën dhe vallen e kanë të trashëguar nga lashtësia ilire. Duke konsideruar se ky rajon nuk ishte gjurmuar e prekur në aspektin koreologjik e muzikor pikësynim kryesor i ansamblit shqiptar ishte gjurmimi dhe nxjerrja në skenë e rajonit të Rekës! Në aspektin profesional një punë të jashtëzakonshme ka bërë profesori i ertnokoreologjisë Dilaver Kryeziu i cili kishte për qëllim që të arrijë të dokumentojmë këtë trashgëmi etno-kulturore shqipëtare. Qëllimi primar i tij ishte komunikimi me njerëzit në atë zonë, detektimi i veshjeve, tingullit, hapit dhe mënyrës së funksionimit shpirtëror. Puna e tij nisi me përshkrim, analizë, transkriptim dhe vizuelizim. E gjithë kjo në shërbim të procesit të ndërtimit të valles. Ajo që është e dukshme ka të bëjë me lidhjen e ngushtë dhe ndërtimin e valles mbi lëvizjet tradicionale shqiptare të cilat në disa hapësira etnokulturore të trevës së Rekës gjallërojnë fuqishëm si mbijetesë kulturore e shpirtit shqiptar. Kjo valle e parë e Rekës, padyshim që do të jenë në shërbim të ruajtjes dhe evidentimit të pasurisë historike e etnokulturore të Rekës si vlerë e jashtëzakonshme e shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut dhe me këtë synim u ideua dhe filloi puna për realizimin e saj.

Për ta nxjerr në skenë një valle që punohet për herë të parë nuk është lehtë sepse hamendjet se cila është rruga e duhur janë prezente në çdo hap gjurmimi i cili të bën të përgjegjshëm që kërkimet të bëhem me kujdes dhe deri në thellësi të gjenezës. Proces aspak i lehtë në një kohë që modernizimi ka filluar të fshijë shumë gjëra, por jo dhe i pamundur! Ansambli shqiptar ia doli dhe e promovoi trashëgiminë e Rekës për herë të parë në skenë! Përshkrimi dhe analiza shkencore e riteve dhe bestytnive që lidhen me këngët dhe vallet e Rekës, janë burim i jashtëzakonshëm që në të ardhmen do të prezantohet si vlerë e shtuar në çdo manifestim kombëtar e ndërkombëtar duke shërbyer si model shembullor në ruajtjen dhe kultivimin e trashëgimisë kulturore.

Kjo mundëson që pasuria jojë të bartet në mënyrë sa më profesionale dhe autentike tek gjeneratat që do të merren me kulturën popullore dhe vallen, qofshin profesionistë apo amatorë.

Realizimi i valles është bërë në tre faza:

Faza e parë: analiza dhe vizita e terrenit duke kontaktuar me subjekte të cilët do të jenë pjesë e strukturës njerëzore për realizimin e valles Koreografike.

Faza e dytë: regjistrimi vizual i kapaciteteve njerëzore) subjektit valltarë dhe instrumentistë!

Faza e Tretë: përgatitja definitive e vallës - koreografisë, ku hyn analiza e përgjithshme e projektit.

Përmes këtij përpunimi koreografik është evindentuar bota shpirtërore e bartësve burimor të këtij folklori tipik dhe karakteristik të Rekës. Ndërtimi i valles është bërë nëpërmjet një koreografie ku evindentohen çastet shumë të bukura lirike e dramarike të burrave me figuracionet e lëvizjeve dinamike të grave.

Në këtë koreografi dallohen për shkathtësi të veçantë solistët të cilët identifikohen qartë me motive të ndryshme skenike. Përpunimi koreografik i valles fillon me një hyrje dinamike të të gjithë valltarëve, me një lëvizje të shtruar (hedhje në dy këmbët), ku nga rrethi formojnë një diagonal, ku meshkujt shkëputen nga vajzat, të cilët me dy masa dalin para tyre e pastaj solistët nën tingujt e surlave dhe lodrës kërcejnë vallen dyshe karakteristikë e valleve tradicionale të Rekës. Vallja është trajtuar si koreodramë me momente të energjisë së jashtëzakonshme dhe entuziazmit për jetë por dhe me prezencën e një lajmëtari që sjell amanetet e ruajtjes së kësaj pasurie dhe dramave tona jetësore. Muzikalisht kjo valle nis me ritmin e shpejtë 7/8 ku dominon surla dhe tupani. Involvimi i orkestrës tuti të ansamblit- instrumente moderne dhe gërshetimi me instrumente folklorike si dhe përsëritja e motiveve të ndara në fjali të vogla muzikore të cilat varirojnë e bëjnë jashtëzakonisht interesante fillimin e valles. Më pas thekset e dhëna në strukturën ritmike të njejtë e rrisin emocionin në pjesën e parë muzikore. Pjesa e dytë muzikore fillon me instrumentet e kavallave dhe këngën e njohur “Fusha e Korabit” një vaj për mërgimin dhe plagën më të vjetër shqiptare- karaketeristikë e zonës së Rekës që nis me daljen e lajmëtarit në skenë! Pjesa e tretë ka ritëm të shtruar dhe një gërshetim të lirikës me epikën i cili ritëm vjen duke u shpejtuar në një 4/4 standarte. Vallëzimi veç i djemve në këtë pjesë të përgatit për një shpërthim të ardhshëm i cili vjen me modulacionet graduale. Mbyllja me tuti orkestër dhe vazhdimi i pjesës së katërt i vajzave- veç shoqëruar me def në ritmin 7/8 është befasia e radhës e cila e bën këtë valle akoma më të veçantë! Vallëzimi i vajzave në vija të drejta dhe me duart e ngritura lart simbol i krenarisë dhe punës e bën të jashtëzakonshme këtë pjesë! Bashkangjitja e orkestrës me defin dhe kthimi në motivet e fillimeve ku vallëtarët kërcejnë në dysh na shpie drejt finales e cila fuqizohet me thekse dhe kontraste dinamike muzikore. Kur lëvizjeve koreografike të pastra e qarta dhe muzikës i bashkangjitet kostumi me kolorit të jashtëzakonshëm tek vajzat që identifikohen me ngjyrat dominante dhe djemtë me kostum të pasur burrëror që vërehet tek jelekët e punuar me mjeshtri- veshje kjo origjinale dhe e ruajtuar shekuj me radhë, konsiderohet pa asnjë dilemë se kjo vënje në skenë paraqet një nga hapat më të mëdhenjë të trupës së ansamblit shqiptar që ka për nderë e krenari që në repertorin e vet të ketë tashmë një krijim kaq origjinal e të punuar muaj të tërë me dashuri e shumë pasion! Lotët në sytë e publikut, duartrokitjet dhe mirënjohja nga shoqata “Reka e Epërme” janë momente të papërsëritshme në historinë e ansamblit tonë.

(Kosova Sot Online)