Hajrije Preniqi: Është e rëndësishme të ecim me kohën, por pa i harruar rrënjët dhe identitetin tonë kulturor
Intervistë me këngëtaren Hajrije Preniqi
Me një përkushtim të veçantë ndaj këngës popullore shqiptare, këngëtarja Hajrije Preniqi vazhdon të mbetet aktive në skenë. Edhe pse prej më shumë se tri dekadash jeton dhe vepron në Holandë, lidhja e saj me Kosovën, traditat dhe kulturën shqiptare mbetet e pandashme.
Projekti i saj më i ri, “Shtëpia e Prindërve”, ka prekur zemrat e shumë adhuruesve përmes emocioneve të forta, nostalgjisë dhe mesazhit që përcjell për mallin ndaj vendlindjes.
Në këtë intervistë, Hajrije Preniqi flet për kujtimet e fëmijërisë, jetën në mërgim, muzikën shqiptare, vlerat artistike dhe angazhimin e saj në ruajtjen e traditave kombëtare.
Një nga këngët më të reja që keni publikuar me videoklip dhe që ngjall emocion tek publiku posa të dëgjosh është edhe "Shtëpia e prindërve", sa jeni ndarë e kënaqur me realizimin e këngës në tërësi?
Hajrije Preniqi: Jam ndarë shumë e kënaqur me realizimin e këngës “Shtëpia e Prindërve”, sepse është një prej projekteve që më ka prekur më së shumti emocionalisht. Madje, gjatë xhirimeve të videoklipit kam përjetuar shumë nostalgji për fëmijërinë dhe për shtëpinë ku jam rritur. Si mërgimtare, mallin për pragun e shtëpisë dhe për vendlindjen e kam ndjerë gjithmonë në zemër.

Thuhet se vitet e fëmijërisë janë më të ëmblat, na kujtoni ndonjë ngjarje për të cilën edhe sot ke nostalgji nga vendlindja?
Hajrije Preniqi: Fëmijëria ime në Obiliq ka qenë e mbushur me kujtime të bukura. Nuk e harroj kurrë emocionin kur për herë të parë interpretova publikisht këngën “Kam qëndisur një shami”. Ishte një moment i veçantë sepse aty filloi rrugëtimi im artistik.

Sipas teje, a është e nevojshme që një këngëtar/e të provokojë në skenë, apo nuk mund të kuptohet një këngëtar/e, i/e pëlqyer sot pa provokime?
Hajrije Preniqi: Unë besoj se talenti, teksti, interpretimi dhe emocioni që përcjell një artist janë shumë më të rëndësishme se çdo formë provokimi. Gjatë gjithë karrierës sime jam përkushtuar këngës popullore dhe vlerave kombëtare, duke besuar se arti i mirëfilltë ka fuqi të mbijetojë në kohë. Mendoj se një artist mund të vlerësohet për interpretimin pa pasur nevojë të provokojë.

Si shumë mërgimtarë të tjerë edhe ju me familjen tuaj e zgjedhni Kosovën gjithmonë të parën për t’i kaluar pushimet por sa ka ndryshuar vendi ynë nga pikpamaja juaj ndër vite, ka pasur më shumë progres apo regres?
Hajrije Preniqi: Kosova ka bërë hapa shumë të rëndësishëm sidomos me shpalljen e pavarësisë, e cila ishte një ëndërr dhe sakrificë e shumë brezave. Sigurisht që ka zhvillime pozitive, por si mërgimtare që e vizitoj rregullisht vendlindjen, mendoj se ka ende punë për t’u bërë.

A ka ndonjë artist shqiptar me të cilin dëshironi të bashkëpunoni, por ende nuk keni pasur mundësinë?
Hajrije Preniqi: Ka shumë artistë të mirë shqiptarë. Gjithmonë kam qenë e hapur për bashkëpunime që promovojnë vlerat e muzikës shqiptare. Nëse do të vinte një projekt i tillë me kënaqësi do t’a mirëprisja.

Cilën nga këngët e publikuara deri më tani e keni më për zemër ndoshta për temën që trajton?
Hajrije Preniqi: “Fjalët e fundit” është kënga që zë një vend shumë të veçantë në zemrën time, është këngë kushtuar dhimbjes, qëndresës dhe sakrificës së nënave shqiptare.

Sipas jush, ku është muzika shqipe sot, a jeni e kënaqur me standartin aktual apo duhet ndryshime urgjente?
Hajrije Preniqi: Muzika shqipe sot është shumë e pasur dhe më e larmishme se kurrë më parë, me shumë artistë të talentuar. Megjithatë, mendoj se duhet t’i kushtohet edhe më shumë rëndësi këngës me vlera artistike dhe ruajtjes së folklorit tonë. Është e rëndësishme të ecim me kohën, por pa i harruar rrënjët dhe identitetin tonë kulturor.

Pasi tash e sa vite jetoni dhe veproni në Holandë, sa janë të organizuar komuniteti shqiptar atje dhe sa jeni ju e angazhuar në aktivitetet kulturore që organizohen nga mërgimtarët?
Hajrije Preniqi: Jetoj në Holandë për 34 vite dhe gjatë kësaj kohe kam marrë pjesë në shumë koncerte, festa dhe organizime kulturore nga Komuniteti shqiptar atje. Po ashtu, jam themeluese e organizatës “Bashkimi i Femrave Shqiptare në Holandë” dhe vazhdimisht organizoj aktivitete të ndryshme për ruajtjen e traditave tona.

Për fund, cila është motoja që përdor më shpesh si mesazh për shoqërinë dhe jetën në përgjithësi?
Hajrije Preniqi: “Mund të jetosh larg atdheut, por kurrë nuk duhet ta largosh atdheun nga zemra.” Kjo është një mendësi që më ka shoqëruar gjithmonë në jetë dhe në karrierën time artistike.

(Kosova Sot Online)
