Heshtje e institucioneve për skandalin e grurit të mykur
Kanë kaluar më shumë se 12 muaj nga gjetjet e Komisionit Parlamentar për Bujqësi, Pylltari dhe Zhvillim Rural i Kuvendit të Kosovës ndaj importit të dhjetëra mijëra tonë të grurit të mykur për shtazë dhe të dyshuar si kancerogjen, e i cili u përdor si ushqim për njerëz në Kosovë. Ky skandal, edhe pas gjetjeve nga ana e këtij Komisioni, ka mbetur pa u ndëshkuar. Kjo sasi e grurit të dyshimtë është importuar nga Serbia, nga ana e kompanisë “M&Sillosi”, që është pjesë e “Devolli Corporation” dhe ka hyrë në vend gjatë viteve 2014-2015 dhe 2016 dhe i cili grurë i mykur u është shitur kosovarëve, duke ua dëmtuar shëndetin atyre,shkruan gazeta Kosova Sot.
Megjithatë, edhe pas më shumë se një vit nga hetimet e bëra të Komisionit Parlamentar për Bujqësi dhe rekomandimet e miratuara të Kuvendit të Kosovës që të ndërmerren masa ligjore ndaj zyrtarëve të inkriminuar përgjegjës të “M&Sillosit”, për dëmin shëndetësor që i kanë bërë popullit të Kosovës, ende nuk ka lëvizur asgjë në drejtim të zbardhjes së plotë të kësaj çështjeje nga ana e Qeverisë së Kosovës, Prokurorisë së Shtetit, por edhe Hetuesisë së Policisë. Me gjithë pyetjet e dërguara në adresë të zëdhënësit të Qeverisë së Kosovës, Prokurorisë së Shtetit dhe Hetuesisë së Policisë dhe zëdhënësit të AVUK-ut, gazeta as pas një jave nuk ka marrë ndonjë përgjigje zyrtare lidhur me këtë çështje.
Komisioni ia dorëzoi dokumentet Prokurorisë
Deputetja nga Grupi G 6, Duda Balje, ndryshe kryetare aktuale e Komisionit Parlamentar për Bujqësi, ka thënë se Komisioni e ka kryer punën e vet rreth rastit të importit të grurit për shtazë, kurse pjesa tjetër e punës për ta bërë u mbetet organeve të drejtësisë dhe hetuesisë, përkatësisht Prokurorisë që i ka kërkuar dokumentet e Komisionit. Nënkryetari dhe anëtari i këtij Komisioni nga opozita, deputeti Salih Salihu (Lëvizja “Vetëvendosje!”) është shprehur për gazetën:” Ne si Komision kompetent i kemi dërguar rekomandimet tona në Kuvendin e Kosovës për shqyrtim e miratim, ku janë vërejtjet dhe sugjerimet tona. Të njëjtin rekomandim e ka edhe Prokuroria e Kosovës“. Ai tutje ka shtuar: ”E veçantat e këtyre rekomandimeve të Komisionit tonë është fakti me shumë rëndësi për të cilin ngarkohet kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, që pas 3-6 muajve ta njoftojë Kuvendin e Kosovës me hapat e Qeverisë së Kosovës që i kanë ndërmarr ndaj kësaj çështjeje”.
Salihu ka shtuar se kryeministri i Kosovës me këtë çështje nuk është marrë fare, sepse edhe vetë është pjesë e atyre oligarkëve. “Vetë heshtja e Mustafës dhe mosraportimi tregon se aty ka diçka të dyshimtë, sepse ai ka qenë dashur që të raportojë para Kuvendit të Kosovës për hapat që ka ndërmarrë”, është shprehur Salihu, i cili ka shtuar se këtu bëhet fjalë për shëndetin e popullatës, ngase në vendin tonë janë futur në mënyrë legale më shumë se 10 mijë tonelata grurë për kafshë, të cilët më pas është shitur për miell. “ Pikërisht këtu edhe qëndron problemi, sepse kryeministri Mustfa nuk ka ndërmarrë asgjë në atë drejtim. Ai ka qenë dashur të raportojë në Kuvendin e Kosovës dhe nuk ka raportuar fare. E keqja është se ai si njeriu numër një i Qeverisë së një vendi sovran fare nuk është marrë me këtë punë “, është shprehur ai. Deputeti Salihu ka thënë se nuk është në dijeni se deri ku ka arritur çështja e këtij gruri në Prokurorinë e Kosovës dhe nga AVUK-u.” Ne si Komision e kemi bërë punë tonë. Rekomandimet tashmë janë bërë dhe këtë çështje e ka në dorë Prokuroria e Kosovës. Tash përgjegjësia kryesore bie mbi kryeministrin, sepse Komisioni ynë i ka dhënë afat 6-mujor z. Isa Mustafa që të na raportojë se çfarë ka ndërmarrë në drejtim të zbardhjes së rastit dhe cilat janë rezultatet e tij në hapat që i ka ndërmarrë.
Por, deri më tash z. Isa Mustafa nuk ka raportuar fare në Kuvendin e Kosovës për këtë çështje”, është shprehur ai. Edhe deputeti tjetër i Komisionit, Murat Hoxha (LDK) shprehet se si Komision e kanë kryer punën, janë marrë raportet e analizat, të cilat janë dërguar në Kuvendin e Kosovës, i cili i ka aprovuar rekomandimet e Komisionit tonë. “ Kryeministri Mustafa ka qenë dashur që të raportojë, por ka mundur edhe të veprojë, pasi rekomandimet tona janë dorëzuar në adresë të Kuvendit e të Qeverisë për të vepruar dhe besoj se kryeministri dhe Qeveria jonë janë duke vepruar në këtë aspekt, dhe se janë duke i zbatuar rekomandimet, sepse fundja atë detyrë e kanë. Për këtë arsye ne i kemi aprovuar rekomandimet. Qeveria neve na dërgon raporte periodike, e nuk janë të obliguar që të na raportojnë si Komision. Dhe, nëse në raportet e dërguara ne vërejmë se nuk janë realizuar kërkesat dhe rekomandimet tona, ne sërish do të reagojmë si Komision”, është shprehur ai.
Qeveria ka mbetur që t’i japë raport zyrtar Kuvendit
Bajram Maloku, zyrtar koordinator i Komisionit për Bujqësi, thotë se Prokuroria e Kosovës kaherë e ka kërkuar dokumentin e Kuvendit të Kosovës së bashku me rekomandimet, të cilat i kanë marrë. Deputeti i pavarur i Kuvendit të Kosovës, Shaip Muja thotë se shkencëtarisht nuk kanë mundur që ta vërtetojnë kancerogjenitetin e këtij gruri. “Kemi dyshuar në dokumentacionet hipotetike të importit të kësaj kompanie dhe nuk kemi mundur që ta vërtetojmë atë. Kjo çështje është e Prokurorisë, pasi ne e kemi kryer punën tonë”, është shprehur ai. Ndërsa, deputeti Adem Salihaj (LDK) është shprehur: “Jeni në dijeni se grupi punues e ka bërë një raport me rekomandimet, të cilin e ka aprovuar në tërësi Komisioni Parlamentar për Bujqësi dhe Pylltari dhe ky raport është përkrahur në tërësi nga të gjithë deputetët e Kuvendit të Kosovës dhe është votuar unanimisht“.
Salihaj sqaroi se ka mbetur që Qeveria e Kosovës ta hetojë këtë çështje dhe më pas t’i japë një përgjigje zyrtare Kuvendit të Kosovës në lidhje me raportet dhe rekomandimet që i ka bërë Komisioni. “Aty në rekomandimet tona lidhen çështjet e përgjegjësisë së Agjencisë së Ushqimit, Doganave, Institutit Bujqësor “. Salihaj shprehet se ka qenë një obligimi i Qeverisë që t’i japë një përgjigje Kuvendit e jo Komisionit lidhur me atë raport. “Tash është bërë një kohë e gjatë dhe madje dy- tri herë është tejkaluar afati, por deri më tash nuk kemi asnjë raport lidhur me këtë çështje“, është shprehur ai.
Tregu i importit të grurit, me shumë parregullsi
Deputeti i opozitës në Kuvendin e Kosovës, Enver Hoti (Nisma për Kosovën ) thotë se heshtja e Prokurorisë së Shtetit, Hetuesisë së Policisë dhe heshtja më kryesore ajo e Qeverisë së Kosovës dhe mosraportimi i kryeministri Isa Mustafa përballë deputetëve të Kuvendit të Kosovës gati edhe një vit pas miratimit të rezolutës nga ana e Kuvendit të Kosovës për cilësinë e grurit të shtazëve që është importuar nga Kompania M&Sillosi si dhe hapat që kanë ndërmarrë, është pasqyra më reale e mospunës që po e bën kjo Qeveri. “ Kjo heshtje e këtyre institucioneve po e tregon më së miri papërgjegjësinë e këtij koalicioni pushtetarësh përballë të gjeturave të këtij niveli, që edhe e pasqyron pakujdesinë e Qeverisë aktuale ndaj shëndetit të qytetarëve tanë“, është shprehur Hoti. Ai shton se heshtja e Prokurorisë është pasqyrë e kapjes së shtetit nga ana e këtij koalicioni. Ndërsa, eksperti i bujqësisë, Dr. Imer Rusinovci thotë se është për keqardhje heshtja e deritashme dhe neglizhencat e organeve më të larta shtetërore, e atyre të drejtësisë, Qeverisë dhe AVUK-ut pas të gjeturave që i ka bërë Komisioni për Bujqësi Pylltari dhe Zhvillim Rural lidhur me importimin e grurit të kafshëve, që më pas është shituar për miell dedikuar qytetarëve tanë. “ Për skandale të tilla, sidomos të natyrave të tilla shëndetësore, në vendet me traditë demokratike dhe qytetare, ku ka edhe llogaridhënie e përgjegjësi, do të duhej që të jepte dorëheqje Qeveria e atij vendi e lëre më ndonjë ministër apo zyrtar i lartë nga Doganat dhe AVUK-u”, është shprehur ai.
Përfaqësuesi i shoqërisë civile, Selatin Kaçaniku (Konsumatori )thotë se presim shumë afër që Qeveria e Kosovës ta njohë qytetarin konsumator e taksapagues të Republikës së Kosovës me këtë çështje. Ai shton se sektori dhe tregu i prodhimit e importit, përpunimit dhe plasmanit të grurit vuan nga shumë parregullsi. “Vetë fakti se institucionet, asociacionet dhe mekanizmat e shtetit nuk e morën parasysh asnjë sugjerim të Org. “Konsumatori”, që nga viti 2009 - flet mjaft. Për fat të keq, flet për mosinteresimin, mungesën e vullnetit e gatishmërisë që të futet rregull e ligj në prodhimin, përpunimin dhe shitjen e artikullit themelor ushqimor për qytetarët konsumatorë e taksapagues të Republikës së Kosovës - e që është mielli. Kemi dyshime në origjinën e grurit të importuar për qëllime prodhimi të miellit; në masën- peshën e paketimeve që i ofrohen qytetarit konsumator në treg; me ambalazhimin; në vitin - datën e bereqetit - prodhimit dhe të skadencës”, është shprehur Kaçaniku
(Kosova Sot)
