Rasti i një bebeje me tumor, ENIGMË PËR MJEKËSINË

  • 28 August 2017 - 20:18
Rasti i një bebeje me tumor, ENIGMË PËR MJEKËSINË

E ëma e bebes vuan nga skolioza, prandaj i është dashur që ta lindte fëmijën me prerje cezariane 

Një bebe dy javësh, e lindur para kohe, paraqet një enigmë për doktorët, pasi ka lindur shtatë javë para kohe, me një tumor të konsiderueshëm misterioz në trungun e saj truror. Addison Faith Richburg ka lindur në një spital të Çarllstonit, në Karolinën Jugore, më 12 gusht të këtij viti, në javën e 33-të të shtatzënësisë. Por, ende pa lindur, mjekët kishin parë se koka e bebes kishte arritur madhësinë që është tipike për javën e 39-të të shtatzënësisë. 

Prindërit janë në ethe

Menjëherë pasi lindi, mjekët ia bënë një incizim të kokës, me ç'rast u pa se ajo kishte një tumor të madh në bazën e trurit. Në fillim mjekët iu thanë prindërve të bebes se ajo vuante nga një tumor i pashërueshëm, me një jetëgjatësi maksimale deri në nëntë muaj. Por, derisa prindërit e bebes filluan që të pajtoheshin me këtë realitet, mjekët u thanë atyre se, ndoshta, diagnoza e tyre kishte qenë e gabuar. Edhe tani prindërit janë në ethe duke pritur diagnozën e bebes, meqë nuk mund të bëhet biopsia, për shkak se bebja është tepër e dobët dhe nuk do të mund t'i mbijetonte asaj. E ëma e bebes vuan nga skolioza, prandaj i është dashur që ta lindte fëmijën me prerje cezariane. Me të lindur, bebja peshonte 1,8 kg dhe ishte e gjatë 43 cm. 

Dyshimet e mjekëve

Në fillim mjekët mendonin se vajza e vogël kishte një tumor të quajtur glioma difuze e ponsit (DIPG), i cili është një tumor agresiv, i cili gjendet në bazën e trurit. Ky tumor nuk ka shërim dhe bën presion në strukturën e trurit që quhet pons, e cila kontrollon funksionet vitale, sikur që janë frymëmarrja, shtypja e gjakut dhe të rrahurat e zemrës. Por, më pas mjekët filluan të shprehnin dyshimet e tyre në lidhje me diagnozën. Skanimet e mëtejme treguan se tumori i vajzës kishte filluar të tkurrej, edhe pse pak. Skanimi tjetër pritet që të bëhet më 30 gusht dhe, rezultatet e atij skanimi do të tregojnë a mund të bëhet biopsia, apo jo. Në ndërkohë, mjekët kanë filluar ta trajtojnë beben me steroide, meqë ka një ënjtje të trurit, si dhe me largimin e sasisë së tepërt të ujit. 

(Kosova Sot)