Aktivisti serb, autor i tekstit “Na fal, Fatima”, merr shumë kërcënime me vdekje

  • 27 November 2017 - 23:44
Aktivisti serb, autor i tekstit “Na fal, Fatima”, merr shumë kërcënime me vdekje

“Po ta përgatisim plumbin”, “Vdekje të lehtë të gjithë serbëve të krahut të majtë komunist”, “T’i q….. të gjallët e të vdekurit” e kërcënime e ofendime tjera ka pranuar Millosh Qiriq, aktivisti nga Beogradi për të drejtat e njeriut dhe bashkëpunëtor i Fakultetit për studimin e mediave “The New School” i Universitetit të New Yorkut, pasi që e përditshmja serbe “Danas” publikoi shkrimin e tij autorial “Na fal, Fatima!”.

Teksti u botua në rubrikën “Qëndrime personale” të mërkurën më 22 nëntor, 2017, disa orë përpara shpalljes së aktgjykimit të Ratko Mlladiqit.

Milosh Qiriq që nga atëherë ka pranuar kërcënime e ofendime për shkak të tekstit që e shkroi për viktimën më të vogël të gjenocidit të Srebrenicës, bebja e lindur në Potoçari të cilën nëna e saj e emërtoi Fatima vetëm më 2002 kur u identifikuan kockat e saj.

Qiriq ka folur për portalin serb “Insajder” dhe ka thënë se deri më tani askush nuk e ka kontaktuar në lidhje me kërcënimet me vdekje ndaj tij dhe thotë se “as që pres”.

Siç tha ai, tema nuk është tek kërcënimet, por duhet të jenë faktet deri tek të cilat erdhi gjykata në procesin kundër Mlladiqit dhe vendimi me të cilin ai u dënua për gjenocid në Srebrenicë dhe nëntë akuzat tjera të aktakuzës.

“Nuk është hera e parë që ndodh kjo dhe me këto ofendime e kërcënime jam mësuar. Natyrisht, nuk jam i vetëm në këtë, sepse kërcënime të këtilla e edhe më të rënda pranojnë shumë pjesëmarrës të jetës sonë publike të cilët flasin e shkruajnë më shumë dhe më guximshëm se unë për tema të ngjashme”, ka thënë Qiriq, transmeton Koha.net.

Ai ka shtuar se tash e disa vite flet e publikon haptas për “përgjegjësitë e elitës politike, ushtarake, intelektuale e mediatike serbe për përkrahjen e ideologjisë nacionaliste të Millosheviqit e cila ka çuar në krime lufte e gjenocid, për përgjegjësinë e Serbisë për lufta agresore kundër republikave tjera jugosllave, sikurse edhe për mundësinë që u është dhënë formacioneve (para)ushtarake e (para)policore të kryejnë lirshëm shkelje të rënda të të drejtave të njeriut dhe krime lufte të cilat i kemi bërë”.

“Flas kur të mundem edhe për trashëgimtarët e politikës së Millosheviqit me të cilët është e stërmbushur hapësira jonë politike, kulturore e mediatike, e të cilët sot mbajnë të gjallë ideologjinë e tij. Në fund të fundit, këta njerëz të njëjtë, politikisht të lindur në luftëra e krime, edhe sot drejtojnë shtetin tonë”, ka theksuar Qiriq.

“Megjithatë, nuk do të doja që ata që më kërcënojnë t’ia dalin me ato që janë mësuar – ta zhvendosin vëmendjen nga tema, dhe tema s’jam unë, as kërcënimet ndaj meje, por gjykimi ndaj Ratko Mlladiqit, të gjitha faktet e tmerrshme të dëshmuara në atë proces dhe rëndësia e këtij gjykimi për viktimat e gjenocidit dhe familjet e tyre, por edhe për të gjithë të prekurit e luftërave që Serbia i ka bërë në Kroaci, Bosnje e Kosovë”, shtoi autori i tekstit “Na Fal, Fatima”.

 (Kosova Sot)