Vdes në duart e prindërve, përkundër shpenzimit të 700 mijë funteve

  • 25 October 2018 - 16:09
Vdes në duart e prindërve, përkundër shpenzimit të 700 mijë funteve

Një vajzë 4 vjeçe, e cila kishte udhëtuar për në Meksikë, që t'i nënshtrohej një trajtimi eksperimental kundër kancerit, ka ndërruar jetë të martën. Edie Molyneux, nga Tranmere, Britani, qe në gjendje që ta provonte edhe trajtimin më të ri me imunoterapi, pasi që prindërit e saj arritën që të mblidhnin 700,000 funte. Prindërit e saj më pas kanë postuar në "Facebook", duke bërë me dije se, vajza e obsesionuar pas "Spiderman"-it ka ndërruar jetë të martën, në duart e prindërve dhe e rrethuar nga familjarët, transmeton gazeta "Kosova Sot Online".

 

Një donator misterioz dha 250,000 funte

Ata postuan fotografi, të cilat besohet të ishin bërë pas vdekjes së vajzës, të shoqëruara me thëniet: vajzës sonë i dolën krahët e engjëllushes në orën 1.30 të pasdites të së martës'. Edie ishte bërë rast i njohur më herët këtë vit, kur një donator misterioz dha 250,000 funte për fondacionin e saj. Vitin e kaluar, familjarët e saj kishin mbetur të tronditur, pasi që Edie u diagnostikua me një tumor të quajtur DIPG (diffuse intrinsic pontine glioma), i cili nuk mund të hiqej me operacion. Në dhjetor të vitit të kaluar, mjekët i kishin 'dhënë' asaj vetëm edhe pak javë jetë, por familjarët filluan me mbledhjen e 700,000 funteve, për një trajtim të ri, të kimioterapisë intra-arteriale dhe të imunoterapisë, që ishte e mundur të bëhej vetëm në Monterray të Meksikës.

 

'Edie, përgjithmonë do të mbetesh bebja jonë"

Secili cikël i kësaj terapie kushton rreth 300,000 funte, por prindërit e vajzës kishin arritur të mblidhnin fonde të mjaftueshme. Në fillim, prindërit e vajzës, Ashleigh Stading, 29 vjeçe dhe Stephen Molyneux, 35 vjeç, thanë se tumori i vajzës së tyre kishte filluar të zvogëlohej. Por, më pas, me pamjet e publikuara më 22 tetor, ata bënë me dije se Edie ka ndërruar jetë. Duke përmendur se sa e fortë ishte treguar vajza e tyre, duke luftuar kundër sëmundjes së vështirë, postimin e tyre ata e mbaruan me fjalët: 'Edie, përgjithmonë do të mbetesh bebja jonë". 

 

(Kosova Sot)