Fëmijët e prindërve ilegal në SHBA nuk mund të marrin shtetësinë

  • 31 October 2018 - 16:00
Fëmijët e prindërve ilegal në SHBA nuk mund të marrin shtetësinë

Donald Trump ka ndërmend ta revokojë të drejtën për shtetësi automatike për fëmijët e lindur në SHBA, nga prindërit që janë imigrantë ilegalë dhe nga personat e tjerë që nuk kanë shtetësi amerikane. Gjatë një interviste, presidenti tha se ka ndërmend ta nënshkruajë një urdhër ekzekutiv për t'i dhënë fund kësaj praktike. Trump, i cili ka kohë që ka qenë kritik ndaj kësaj praktike, tha: 'Jemi vendi i vetëm në botë ku vjen një person, lind beben dhe ajo bebe bëhet automatikisht shtetase me të gjitha përfitimet. Është qesharake. Është qesharake dhe duhet të marrë fund". Amendamenti i 14-të i Kushtetutës, i shkruar në vitin 1868, thotë: 'Që të gjithë personat e lindur apo të natyralizuar në SHBA, janë subjekt i këtij juridiksioni, duke u bërë shtetas të SHBA-së dhe të shtetit ku banojnë". Trump insiston se mund ta ndryshojë mënyrën sesi interpretohet ky amendament nga qeveria federale, pa e ndryshuar vet kushtetutën, dhe se mund ta bëjë këtë me një urdhër ekzekutiv, transmeton gazeta "Kosova Sot Online".

Trump mund ta ndryshojë aplikacionin me një urdhër ekzekutiv

Disa republikanë që garonin për president në vitin 2016, duke përfshirë edhe vet Trumpin dhe ish-guvernatorin e Floridas, Jeb Bush, thoshin se kjo frazë 'subjekt i juridiksionit' iu referohet vetëm njerëzve me të drejtë ligjore për të qëndruar në vend. Më pas, Trump vazhdon: "Gjithmonë më kanë thënë se nevojitet një amendament kushtetues. A dini çka? Nuk duhet. Këtë mund ta bëni me një Akt të Kongresit, por tani më thonë se mund ta bëjë edhe vetëm me një urdhër ekzekutiv". Presidenti së pari e artikuloi qëndrimin e tij në gusht të vitit 2015, duke folur për meksikanët që shkojnë për të lindur në SHBA. Kjo dukuri kishte fituar aq shumë në intensitet, sa që "Washington Post", raportonte se, për një pagesë prej 40,000 deri 80,000 dollarë, gratë nga Azia shkonin në Nju- Jork, apo Kaliforni për të qëndruar në hotele të specializuara për lindje të fëmijëve. Kjo pagesë ia vlente, meqë me të lindur fëmijën, ato gra aplikonin për shtetësi të SHBA-së, meqë bebja e tyre automatikisht e kishte fituar atë të drejtë. Ka pasur edhe raste kur femrat më të varfra e kanë kaluar kufirin ilegalisht, për të lindur në SHBA. Një ish zyrtare për shtetësi dhe shërbim të imigrantëve, Lynden Melmed, thotë se janë të paktë ekspertët që besojnë se presidenti e ka fuqinë ta ndryshojë këtë të drejtë. Disa ekspertë thonë se amendamenti i 14-të asnjëherë nuk kishte nënkuptuar të drejtën e shtetësisë për fëmijët e imigrantëve, por se ishte keqinterpretuar me dekada. Ata thonë se Trump mund ta ndryshojë aplikacionin me një urdhër ekzekutiv, duke e kufizuar këtë të drejtë vetëm për fëmijët e atyre që kanë qëndrim permanent ligjor në SHBA. Por të tjerët, sikur gjykatësi James Ho, i cili është emërtuar nga Trump në Gjykatën e qarkut të pestë të apelit, insistojnë se ndryshimi i aplikimit të amendamentit të 14-të nuk do të ishte kushtetues. 

India shfuqizoi "jus soli" në vitin 2004

Vetëm rreth 30 shtete, duke përfshirë edhe Kanadanë, garantojnë disa të drejta 'të shtetësisë së fituar me lindje', të njohura me emrin 'jus soli' (e drejta e tokës). Të tjerat japin shtetësinë bazuar në parimin 'jus sanguinis' (të drejtën e gjakut) - ku fëmijët mund ta trashëgojnë shtatzënësinë vetëm nga prindërit e tyre, e jo nga vendi i lindjes. India shfuqizoi "jus soli" në vitin 2004, pasi që me mijëra imigrantë ilegalë kishin hyrë nga Bangladeshi. Qendra "Pew Hispanic" vlerëson se rreth 7.5% të të gjitha lindjeve në SHBA (rreth 300,000 lindje në vit) janë nga imigrantët ilegalë. Kjo Qendër thotë se rreth 4.5 milionë qytetarë amerikanë nën moshën 18 vjeçe kanë lindur nga imigrantët ilegalë. Kjo deklaratë e Trumpit vjen një javë para zgjedhjeve afatmesme dhe në mes të një paniku kombëtar pasi që një karvan i dytë imigrantësh që ia kanë mësyrë SHBA-së hyri në Meksikë të hënën. Me qindra imigrantë, që shkojnë hapave të karvanit të parë, ia kanë mësyrë kufirit të SHBA-së afër një lumi në Guatemala. Autoritetet e Meksikës kanë thënë se imigrantët kanë sulmuar agjentët e tyre me gurë, shishe të qelqit dhe fishekzjarrë, ku disa prej tyre kishin edhe armë. Të hënën, ministri i brendshëm i Meksikës, Alfonso Navarrete Prida, u ankua për atë që ai e quajti 'tentim të dytë të dhunshëm' për ta thyer kufirin, duke akuzuar njerëzit se vendosin pleqtë, shtatzënat dhe fëmijët në linjën e parë, duke e rrezikuar jetën e tyre. 

 

(Kosova Sot)