Fëmijët që miqësohen ME FANTAZMA

  • 26 November 2018 - 16:21
Fëmijët që miqësohen ME FANTAZMA

Rosalyn, një vajzë tri vjeçe, sikur flet me dikë derisa shëtitë afër shtëpisë së saj në fshat, bashkë me të ëmën. Ajo i tregon nënës rreth asaj që kishte bërë në parashkollor. Në një moment, vajza shton. 'Kam një shoqe të re, të ngushtë'. 'Sa mirë', i përgjigjet nëna. 'Si quhet'? 'Tilly. Ajo jeton në shtëpinë tonë. Ajo është shoqja ime dhe është e vdekur. Edhe Alex është shoku im. Ai jeton këtu. Ai ka vdekur. Edhe nëna dhe gjyshi i tij kanë vdekur. Ne luajmë së bashku me bebe', thotë vajza, duke e lënë nënën e saj të hutuar. Ajo nuk njihte askënd me emrat Tilly ose Alex, e as nuk kishte biseduar ndonjëherë me të bijën rreth vdekjes, apo jetës pas vdekjes. Për këtë shkak, nuk e kishte idenë nga vinin këto fjalë të së bijës, transmeton gazeta "Kosova Sot Online".

Shtëpia gjendej në mal

Nëna e vajzës gjithmonë e kishte konsideruar veten një person racional, praktike dhe grua e ndjeshme. Një gazetare për nga profesioni, ajo preferonte faktet dhe dëshmitë. Nuk ishte besëtyte e as që besonte në fantazma. Meqë burri i saj, Adrian, 40 vjeç, punonte në Londër gjatë javës, kjo donte të thoshte se ishin vetëm nënë e bijë që jetonin në shtëpinë e tyre në North Devon, e cila ishte ndërtuar në vitet 1500. Për nja gjysmë milje nuk kishte shtëpi të tjera, kështu që shtëpia e tyre gjendej në mal. Por, kjo nuk ishte hera e parë që Rosalyn e kishte frikësuar atë. Kur ajo kishte vetëm 18 muaj, ajo bënte me gisht kah dera e një qilari, duke insistuar se aty shihte dele. Disa javë më pas, ajo i kishte thënë e mërzitur se, nuk kishte më dele. Asaj tani iu kujtua kjo ngjarje, të cilën e kishte injoruar si fantazi të fëmijës, edhe pse në atë vend, dikur moti, kishte pasur një fermë delesh. Por, tani vajza kishte tri vjet dhe, me rrëfimet e saj për miqtë e vdekur, e shqetësoi dukshëm të ëmën, në lidhje me shtëpinë në të cilën jetonin tash e tri vjet. Edhe pse nuk besonte në fantazma, kjo nuk donte të thoshte se nuk frikësohej nga to. Vendosi që të bënte ca hulumtime, për ta bindur veten se fjalët e së bijës ishin vetëm pjellë e imagjinatës së saj. Por, ajo i ra pishman për këtë.

Kopeja e deleve fantazmë

Të dhënat nga regjistrimi i popullsisë në vitin 1861 tregonin se kishte qenë një djalë 10 vjeç, i quajtur Alexander Turner. Dhe, të dhënat për periudhën 30 vjet më pas, përmendnin një Matilda Oke, 20 vjeçe. Kishte të ngjarë që Matilda të kishte jetuar aty kur kishte qenë më e vogël. Edhe pse ajo përpiqej që ta bindte veten se Alex, Tilly dhe kopeja e deleve fantazmë ishin vetëm pjellë e imagjinatës së pasur të së bijës, një studim i bërë tash vonë tregon se një në pesë britanikë thonë ta kenë përjetuar praninë e ndonjë fantazme (shpirti). Ka edhe raste të tjera, të ngjashme me këtë. Ta marrim shembullin e nënës së gjashtë fëmijëve, Katie Jones, 33 vjeçe, nga Kenti. Ajo ka një vajzë 11- vjeçare të quajtur Alice e cila, qyshkur kishte vetëm 2 vjeç, ka thënë të shihte njerëz që nuk i shihte kush tjetër. Ja çka thotë Katie: 'Kur Alice kishte dy vjet, ajo filloi të qante shpesh, duke thënë se ishin dy burra në dhomën e saj të cilët e shikonin dhe i bërtisnin, gjë që asaj nuk i pëlqente aspak. Më pas, ajo filloi që të thoshte se një vajzë e quajtur Sheila rrinte ulur në shtratin e saj dhe qante për të ëmën. Kur bëra ca kërkime, në gazetat e vjetra pashë se ishte një vajzë me atë emër, e cila ishte vrarë aty. U shqetësova pa masë".

Gjyshja e vizitonte me bebe në duar

Alice më pas i tha të ëmës se gjyshja e nënës së saj, po ashtu me emrin Alice, shkonte në dhomën e saj të gjumit. Ajo iu kishte thënë dy burrave dhe vajzës që të dilnin nga dhoma e Alices dhe ata ishin larguar. Alice e vogël përshkruante me hollësi veshjen e stërgjyshes së saj, të cilën nuk e kishte takuar kurrë për së gjalli. Kur Alice kishte tri vjet, një anëtar i familjes kishte pasur një fëmijë të lindur të vdekur. Alice i thoshte të ëmës se gjyshja shkonte ta vizitonte me një bebe në duar. Ajo tha se bebja quhej Max. Ajo nuk kishte pasur si ta merrte vesh një gjë të tillë, meqë prindërit kurrë nuk i kishin treguar për këtë rast. Tani 11 vjeçe, Alice thotë se gjithnjë e më pak sheh gjëra të tilla, por i kujtohet qartë kur shihte stërgjyshen. Dr. Stephen Westgarth, anëtar i Kolegjit mbretëror të psikiatërve, psikiatër i fëmijëve, thotë se një sjellje e tillë është normale për fëmijët e vegjël. Bota imagjinuese e fëmijëve është e pakufishme dhe ajo nuk përmban të njëjtat rregulla sociale dhe fizike sikur bota e të të rriturve. Ai është i bindur se këto janë vetëm sajime të imagjinatës fëmijërore dhe, në rastet kur thuhet se fëmijët flasin me të vdekurit, ai këtë ia përshkruan kulturës familjare, pra prindërve të fëmijëve, që besojnë në gjëra të tilla.

 

(Kosova Sot)