Vuan nga leukemia, kërkon qumësht gjiri për vajzën

  • 20 January 2019 - 16:18
Vuan nga leukemia, kërkon qumësht gjiri për vajzën

Rhiannon Lindley, nga Springfild, ishte diagnostikuar me leukemi kur vajza e saj më e vogël, Adelaide, kishte vetëm katër muaj. Menjëherë pas diagnostikimit të saj, ajo iu nënshtrua një regjimi tepër intensiv të kimioterapisë dhe nuk ishte në gjendje ta ushqente me gji vajzën e saj të vogël. Familjarët dhe miqtë mblidhnin qumësht gjiri nga tërë Mizuri, bile edhe nga Ohajo, që të ndihmonin në ushqimin e Adelaides së vogël.

 

Diagnozë shumë serioze

Megjithatë, gati një vit më pas, donacionet kanë filluar të pakësohen dhe Lindley, 27 vjeçe, ka dalë me një apel në rrjetet sociale, duke kërkuar nga të gjithë ata që mund të ndihmojnë. Në fund të vitit 2017, Lindley përjetonte mavijosje, dhembje të eshtrave, migrenë dhe lodhje. Por, kjo nënë e katër fëmijëve kishte menduar se këto ishin vetëm shenja të lodhjes nga fakti se kishte lindur fëmijën në shtator dhe punonte 80 orë në javë, si infermiere. Kur shkoi për t'i bërë analizat, ajo priste se do t'i dilte farë anemie. Por, diagnoza ishte shumë më serioze, leukemi ALL. Sipas statistikave, gati 6,000 të rritur janë diagnostikuar me këtë sëmundje në vitin 2018 në Britani, dhe rreth 1,500 persona vdiqën nga kjo sëmundje. 

 

Bebja mund të ushqehej edhe me qumësht lope

Pasi që filloi një raund të vështirë të kimioterapisë, Lindley më nuk mund ta ushqente të bijën me qumësht gjiri, prandaj edhe filloi apelin për donatore potenciale. Edhe pse qelizat kanceroze nuk kalojnë me qumësht nga nëna te bebja, ilaçet e kimioterapisë depërtojnë, duke shkaktuar dëme të shumta te fëmijët. Bebja mund të ushqehej edhe me qumësht lope, apo formula të ndryshme, por nuk ka asnjë produkt që mund të matet me qumështin e gjirit, i cili është plot antitrupa dhe substanca tjera të dobishme për beben. 

 

 

(Kosova Sot)