14 anëtarë të një familje me nga 6 gishta në duar

  • 17 September 2015 - 22:56
14 anëtarë të një familje me nga 6 gishta në duar

Familja Da Silva nga Brazili karakterizohet me faktin se ka 14 anëtarë të saj që kanë lindur me nga gjashtë gishta në duart e tyre. Kjo ju jep atyre përparësi që të ushtrojnë disa profesione të caktuara, si portierë futbolli, apo muzikantë. Kjo ka bërë që pjesëtarët e kësaj familjeje të jenë adhurues të muzikës, si dhe të sportit të futbollit, transmeton Gazeta Kosova Sot Online.

Për femrat, përpos përparësive, mund të ketë edhe disavantazhe

Fakti se e kanë nga një gisht shtesë në dorë ua mundëson atyre që të jenë më të zot me kitarë, piano dhe, duke pasur parasysh se jetojnë në Brazil, të mbrojnë më mirë në portë gjatë lojës së futbollit. Nga gjithsej 26 pjesëtarë, sa ka familja e gjerë Da Silva, 14 prej tyre, sikur që thamë, kanë lindur me nga një gisht ekstra. Por, për femrat, përpos përparësive, mund të ketë edhe disavantazhe, p.sh. manikyri mund t’iu kushtojë më shtrenjtë.

 “Kap më shumë nota me një dorë”

Joao de Assis da Silva, 15 vjeç, i cili është portier futbolli, thotë se e ka më lehtë që të mbrojë, meqë, falë gishtit të tij të gjashtë, mund ta kapë më me efikasitet topin. “Por, e kam vështirë të gjej dorëza. Në fakt, i blej dy palë dorëza, më pas i modifikoj ato”, thotë ai. Ai po ashtu luan në kitarë, derisa kushërira e tij tetëvjeçare, Maria Morena da Silva, është duke mësuar pianon. Ajo thotë se mësuesja e saj e pianos i ka thënë se edhe ajo do të donte t’i kishte gjashtë gishta, meqë kështu “kap më shumë nota me një dorë”. Kjo familje, e cila jeton afër kryeqytetit Brazilia, janë krenarë për gishtat e tyre shtesë. Sa herë që ndokush nga familja është shtatzënë, ata studiojnë fotografitë e ultrazërit, për të parë se a do të lindë edhe bebja e re me gjashtë gishta.

“Për ne nuk ka rëndësi a do të jetë bebja djalë, apo vajzë. Me rëndësi është që t’i ketë gjashtë gishta”, thotë një grua.

Gjyshja Silvia Santos da Silva thotë se fakti që kanë gishta shtesë, kurrë nuk ka ndikuar që pjesëtarët e familjes të jenë objekt i talljeve apo diskriminimit.

(Kosova Sot)