BE-ja i dhuron sot Kosovës 6 mijë teste për koronavirus, 90 shtretër e 67 mijë maska mbrojtëse

  • A.P /
  • 02 korrik 2020 - 07:25
BE-ja i dhuron sot Kosovës 6 mijë teste për koronavirus, 90 shtretër e 67 mijë maska mbrojtëse

Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë ka njoftuar se do t’i dhurojë Kosovës 6 mijë komplete testimi për koronavirus, 90 shtretër spitalorë dhe 67 mijë maska dhe pajisje tjera mjekësore.

Nga kjo zyre kanë bërë të ditur se ky donacion do t’i dorëzohet sot Ministrisë së Shëndetësisë.

Shefja e zyrës së BE-së në Kosovë, Nataliya Apostova, do t’ia dorëzojë këtë donacion ministrit të Shëndetësisë, Armend Zemaj, në orën 10:00, në Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës.

“Nataliya Apostolova, Udhëheqëse e Zyrës së BE-së në Kosovë, do t’i dorëzojë Ministrisë së Shëndetësisë 6,000 komplete testimi për COVID-19, 90 shtretër spitalorë, mbi 67 mijë maska dhe pajisje të tjera mjekësore në mbështetje të sistemit shëndetësor. Dërgesa përfshin edhe 350 oksimetra pulsi në gisht dhe 5 defibrilatorë me pacemaker dhe karrocë”, thuhet në njoftim.

Ky donacion kap vlerën e rreth 800 mijë eurove si ndihmë e BE-së për Kosovën.

“Vlera totale e këtij donacioni është rreth 800 mijë euro dhe është pjesë e ndihmës së BE-së për Kosovën për përballimin e pandemisë COVID-19. Furnizimet u prokuruan përmes Zyrës së Kombeve të Bashkuara për Shërbimet e Projekteve (UNOPS)”, thuhet tutje në komunikatë.

(Kosova Sot Online)