Një javë pas hapjes, mbyllet një prej universiteteve më të mëdha në SHBA! 177 studentë pozitivë dhe 350 të karantinuar!

  • G.G /
  • 19 August 2020 - 10:14
Një javë pas hapjes, mbyllet një prej universiteteve më të mëdha në SHBA! 177 studentë pozitivë dhe 350 të karantinuar!

Një ndër universitetet më të mëdhenj në Atlanta, Universiteti i Karolinës së Veriut në Chapel Hill është mbyllur një javë pasi u hap, pas shpërthimit të rasteve me koronavirus.

Mbyllja e këtij universiteti në SHBA, demonstroi se sa e vështirë mund të jetë për institucionet e arsimit të lartë të kenë nën kontroll situatën në periudhë pandemie.

Ditët e fundit, imazhet e qarkulluara gjerësisht të të rinjve që mblidheshin pa maska ëafër kampusit kanë ngritur shqetësime për studentët të cilët nuk i respektojnë masat distancuese sociale. Të hënën, rreth 50 protestues në Georgia Tech në Atlanta organizuan një marshim për të kundërshtuar mësimin në universitetin e tyre.

Universitei i Karolinës së Veriut me 30,000 studentë, u hap në 10 gusht. Zyrtarët thanë se 177 studentë u izoluan pasi rezultuan pozitivë me koronavirus që nga e hëna, dhe 349 studentë të tjerë janë në karantinë për shkak të ekspozimit të mundshëm.

Para se të fillonte shkolla, Universiteti lëshoi një protokoll të rreptë për maskat brenda dhe jashtë universitetit, dhe u bëri thirrje studentëve të praktikojnë distancën sociale. Studentëve iu dha gjithashtu një mundësi mësimi online i quajtur “Carolina Away”. Sipas shkollës, sallat e qëndrimit kishin kapacitet më pak se 60%, dhe më pak se 30% e klasave ishin të populluara.

Por pavarësisht këtyre masave, numri i infeksioneve të koronavirusit u rrit shumë. Në javën e parë të shkollës, klinika shëndetësore në kampus pa që niveli i pozitivitetit të testit u rrit në 13.6% nga 2.8%.

Ky lajm vjen një ditë pasi Ministria e Arsimit në Shqipëri, lajmëroi hapjen e shkollave në shtator. “Iconstyle.al” ka ngritur prej kohësh shqetësimin për risqet që ka hapja e shkollave në një kohë që jemi në mes të një vale pandemie. Sado pozitive mund të jetë hapja e shkollave, pas një mësimi online të dështuar gjatë karantinimit, sërish duhet të pyesim: A jemi gati?

Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu njoftoi dje se çdo vendim për hapjen e shkollave po koordinohet me përgjegjësi maksimale nga institucionet përgjegjëse për garantimin e masave të distancimit social.

Por rastet kanë treguar të kundërtën pasi shkelja e protokolleve të sigurisë në plazhe apo edhe në institucione shtetërore, ka rezultuar me krijimin e vatrave të reja të virusit apo mbyllje të këtyre institucioneve! Bashki, çerdhe, maternitete, gjykata janë mbyllur pas rasteve me COVID-19 që janë paraqitur, duke treguar kështu se në shkolla do të jetë akoma më e vështirë garantimi i masave dhe zbatimi i protokollit.

(Kosova Sot Online)