Kritiku i Kremlinit, “në gjendje kome” pas dyshimeve për helmim

  • E.K /
  • 20 August 2020 - 12:11
Kritiku i Kremlinit, “në gjendje kome” pas dyshimeve për helmim

Lideri opozitar rus, Aleksei Navalny është pa vetëdije në spital dhe ka dyshime për helmim, ka thënë zëdhënsja e tij, Kira Yarmysh.

Navalny, që njihet për fushatat e tij kundër korrupsionit është sëmurë teksa ka qenë në një udhëtim me aeroplan, andaj fluturimi është ndalur në mënyrë emergjente në qytetin siberian, Omsk, ka thënë Yarmysh, duke shtuar se ka supozime që diçka i është shtuar në çaj.

Një burim brenda spitalit ka konfirmuar për agjencinë e lajmeve, TASS se ai është duke u trajtuar për helmim.

Navalny, 44-vjeçar është kritik i ashpër i presidentit rus, Vladimir Putin.

Në muajin qershor, ai e ka përshkruar procesin e votimit për reforma kushtetuese si “puç” dhe “shkelje të kushtetutës”.

Këto reforma i mundësojnë tani Putinit të garojë edhe për dy mandate tjera si president.

Kira Yarmysh, sekretarja për media e Fondacionit Kundër Korrupsionit, të cilin Navalny e ka themeluar më 2011, ka thënë: “Këtë mëngjes Navalny ka qenë duke u kthyer në Moskë nga Tomsku”.

“Përgjatë fluturimit, ai nuk është ndjerë mirë. Aeroplani ka bërë ulje emergjente në Omsk. Aleksei është helmuar me ndonjë toksinë. Tani jemi duke shkuar në spital”.

Ajo më pas ka shtuar: Ne dyshojmë se Aleksei është helmuar me diçka të përzier në çajin e tij. Ajo ka qenë gjëja e vetme që ka pirë në mëngjes.

“Mjekët po thonë se toksina ka reaguar më shpejt përmes ujit të ngrohtë. Aleksei tani është pavetëdije”.

Më vonë Yarmysh ka thënë përmes një postimi në Twitter se Navalny është në kujdes intensiv, në ventilator dhe në komë.

Ajo ka thënë se mjekët fillimisht kanë qenë të gatshëm të japin informacion, mirëpo tani janë duke thënë se testimet janë vonuar dhe “janë duke synuar të fitojnë kohë që të mos tregojnë atë që dinë”.

Ajo ka thënë se departamenti për kujdes intensiv është i mbushur me zyrtarë policorë.

Agjencia e lajmeve, TASS ka raportuar se Spitali për Emergjenca i Omskut ka konfirmuar se Navalny është në gjendje serioze.

Ai është bërë i njohur në publik duke bërë të ditur korrupsionin mes zyrtarëve publikë.

Ai është burgosur disa herë nga autoritetet, derisa partinë Rusia e Bashkuar të Putinit e konsideron “parti të hajdutëve”.

Më 2011, ai është arrestuar dhe burgosur për 15 ditë, pas protestave se ka pasur mashtrime me vota nga partia e Putinit në zgjedhjet parlamentare.

Navalny më vonë është burgosur edhe në korrik të vitit 2013, nën akuzat për përvetësim, të cilat i pati konsideruar politike.

Ai ka tentuar të garojë në zgjedhjet presidenciale të vitit 2018, mirëpo i është pamundësuar një gjë e tillë për shkak të dënimit paraprak për mashtrim, rast të cilin po ashtu e ka konsideruar të motivuar politikisht.

Në korrik të vitit 2019, ai është burgosur për 30 ditë, për mbajtje të protestave të paautorizuara.

Ai ishte sëmurë gjatë kohës në burg. Doktorët kanë thënë se ai ka pasur një sëmundje të lëkurës, ndonëse vetë Navalny ka thënë se nuk ka pasur kurrë alergji.

Doktori i tij ka sugjeruar se ai mund t’i jetë ekspozuar “ndonjë agjenti toksik”.

Edhe Navalny pati pretenduar se mund të jetë helmuar.

Për këtë arsye, Yarmysh ka thënë se beson që Navalny është helmuar sërish.

“Ata i kanë bërë të njëjtën gjë edhe tani”, ka deklaruar ajo.

Udhëheqësi i departamentit ligjor të Fondacionit të Navalnyt, Vyacheslav Gimadi, ka shkruar në Twitter: Nuk ka dyshim se Navalny është helmuar për qëndrimet e tij politike dhe aktivitetin e tij”.

Avokatët e Navalnyt janë duke kërkuar hetime për tentim-vrasje, ka shtuar ai./rel/

(Kosova Sot Online)