Vejvoda: Shkëmbimi i territoreve përfundimisht nuk është në tryezë

  • E.K /
  • 21 August 2020 - 14:40
Vejvoda: Shkëmbimi i territoreve përfundimisht nuk është në tryezë

Mundësia e shkëmbimit të territoreve midis Beogradit dhe Prishtinës nuk është në tryezë. Ajo nuk është më pjesë e diskutimeve, megjithëse mund të ketë qenë më herët, Ivan Vejvoda, këshilltar shkencor në Institutin për Shkencat Humane (IWM) në Vjenë.

Vejvoda, që ka qenë edhe nënpresident për programet e Fondit Marshall të Shteteve të Bashkuara, thotë se ai nuk beson se qeveria serbe dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, janë të gatshëm të nënshkruajnë një marrëveshje në këtë moment, që do të përfshijë njohjen e pavarësisë së Kosovës.

 Ju keni qenë për një kohë të gjatë i kyçur me proceset politike në Ballkan. Si e vlerësoni aktualisht situatën në vendet e Ballkanit? E kam fjalën në qeverisjen e brendshme të këtyre vendeve si dhe raportet me fqinjët?

Ivan Vejvoda: Vendet e Ballkanit Perëndimor kanë kaluar në procese dramatike që nga rënia e Jugosllavisë, që ka filluar në fillim të viteve të 90-ta. Ajo situatë dhe dhuna kanë qenë përcaktuese të mjedisit politik për një dekadë, deri në rënien e regjimit të (ish-presidentit jugosllav, Sllobodan) Millosheviqit.

Që nga ajo periudhë filluan proceset e integrimit evropian dhe situata u stabilizua dhe u vendos një paqe e qëndrueshme. Rreth 30 vjet pas rënies së Murit të Berlinit, 20 vjet pas rënies së regjimit të Millosheviqit dhe 25 vjet pas marrëveshjes së Dejtonit, situata aktuale tregon se vendet e rajonit janë në etapa të ndryshme të integrimit evropian, që të gjitha e kanë si orientim strategjik anëtarësimin në Bashkimin Evropian, madje disa prej tyre janë bërë anëtare të NATO-s, siç është rasti i Shqipërisë, Kroacisë dhe Maqedonisë së Veriut.

Natyrisht, situata është përcaktuar edhe nga kriza dramatike financiare më 2008, pas falimentimit të Bankës “Lehman Brothers” dhe zhvillimeve tjera poashtu dramatike me monedhën evropiane-euro.

Fatkeqësisht, këto zhvillime e kanë bërë situatën e rritjes ekonomike të vështirë. Në vend se të kishim rritje ekonomike prej 6 deri 7 për qind, siç e kishim deri në vitin 2008-2009, shifrat shënuan rënie dhe pastaj qeveritë nuk ishin në gjendje të mbushnin xhepat e qytetarëve, duke rezultuar në tensione ekonomike dhe sociale. Dhe e fundit, por jo më pak e rëndësishme për rajonin, është çështje e pazgjidhur mes Kosovës dhe Serbisë. Ka pasur periudha të mira të pajtimit gjatë këtyre viteve dhe sigurisht se ka pasur edhe momente jo të mira kur tensionet janë rritur.

Pavarësisht parashikimeve se mund të ketë prap luftë në Ballkan, shumë prej nesh kemi thënë se lufta nuk do të ndodhë më asnjëherë, pasi ajo ka ndodhur në vitet e 90-ta.

Në periudhën e fundit duket se vetëm Maqedonia e Veriut ka shënuar përparim, si në aspektin e brendshëm, ashtu edhe në atë të jashtëm.

Në anën tjetër, kemi raportet e tensionuara Kosovë-Serbi, funksionimin e vështirë të Bosnjës si një entitet politik dhe tensionet mes Malit të Zi dhe Serbisë për çështjen e pronave të kishave. A ekziston rreziku i konflikteve të reja në Ballkan, nuk them luftë sikurse në vitet e 90-ta, por konflikte të një niveli më të ulët?

Ivan Vejvoda: Nuk mendoj se do të kemi konflikte të vogla, por nuk është diçka e mirë edhe nëse ka tensione të nivelit të lartë. Kjo nuk do t’i ndihmonte rritjes ekonomike, stabilitetit dhe investimeve të jashtme. Asnjëra prej vendeve të rajonit nuk ka ekonomi të aftë për investime të brendshme, prandaj ne jemi shumë të varur nga investimet e jashtme direkte që kryesisht vijnë nga Evropa dhe Shtetet e Bashkuara.

Investitorët po kërkojnë vende në botë ku ka stabilitet dhe paqe të qëndrueshme. Fakti që kemi, siç e thatë edhe ju, çështje të pazgjidhura në vazhdimësi – që mund të çojnë në konflikte – për të cilat unë besoj se nuk do të ndodhin, kjo situatë nuk e ndihmon përparimin e përgjithshëm të rajonit dhe vendeve veç e veç.

Dua të fokusohem te dialogu midis Kosovës dhe Serbisë. Si e vlerësoni ju ecurinë e këtij dialogu? Kishim një ndërprerje të gjatë të tij, ndërkohë që tani ai ka rifilluar me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.

Ivan Vejvoda: Siç e dimë të gjithë, dialogu filloi në mars të vitit 2011. Ka pasur rënie dhe ngritje gjatë kësaj periudhe. Suksesi kryesor natyrisht se ka qenë marrëveshja e prillit e vitit 2013. Dhe, siç e dimë edhe NATO-ja e dha mbështetjen e saj.

Bashkimi Evropian, nën ndërmjetësimin e të cilit zhvillohet ky dialog, i cili është mënyra e duhur për ta zhvilluar atë, sepse ne jemi në kontinentin Evropian dhe historia dhe kulturat tona janë të lidhura me Evropën, është tani, do të thoja, në vendin e shoferit, me, natyrisht, një rol shumë të rëndësishëm të luajtur nga Shtetet e Bashkuara. BE-ja dhe SHBA-ja gjithmonë kanë thënë se do të punojnë së bashku për të zgjidhur këtë krizë. Bashkimi Evropian e ka thënë shumë qartë se nuk do të pranojë anëtarë të rinj që kanë çështje të pazgjidhura territoriale.

Ata e kanë ndërlidhur këtë me Qipron, duke thënë se kurrë nuk do të pranojnë në bllok një “Qipro të re”. Mendoj se kjo ka qenë një kornizë e përgjithshme e strategjisë gjeopolitike e cila i është paraqitur sidomos Serbisë, e cila duhet të zgjidhë këtë çështje gjatë rrugëtimit të saj drejt anëtarësimit në BE.

Në anën tjetër, ka pasur jostabilitet politik në Kosovë për shkak të ndryshimit të qeverive, dhe tash kemi rikthimin e palëve në dialog. Sipas mendimit tim, ato e kanë kuptuar se është e rëndësishme të lëvizet përpara, sa më shpejt që është e mundur. Më lejoni të them se nëse shikojmë në nivel global, tek rastet sikurse ky i Kosovës dhe Serbisë, natyrisht secila ka specifikat e veta, por megjithatë kanë disa tipare përbashkëta.

Të dyja palët tani duhet të zgjedhin nëse duan të bëhen sikur India dhe Pakistani, të cilat e kanë një situatë të pazgjidhur qe 70 vite. Ne e dimë sa shumë njerëz kanë vuajtur. Ose në Qipro ku për 45 vjet nuk po arrijnë t’i zgjidhin problemet. Tash janë bërë 20 vite që nga përfundimi i bombardimeve më 1999 (nga ana e NATO-s në ish-Jugosllavi v.j), dhe kjo nënkupton se tashmë kemi shpenzuar mjaft kohë me një situatë të pazgjidhur, e cila po t’i kthehemi aspektit social dhe ekonomik, nënkupton se shumë investitorë nuk po e shikojnë këtë rajon sepse shohin një situatë të pazgjidhur.

Mendoj se nëse do të ketë një qasje racionale, liderët e Prishtinës dhe Beogradit do të bënin gjithçka për të gjetur një zgjidhje dhe do t’ia vendosnin pikën kësaj çështjeje në mënyrë që rajoni përfundimisht të arrijë stabilitetin dhe paqen e plotë.

 Ndërkohë në shtator është planifikuar të mbahet një takim në Shtëpinë e Bardhë mes udhëheqësve të Kosovës dhe Serbisë. A mendoni se mund të ketë ndonjë marrëveshje të rëndësishme në këtë takim?

Ivan Vejvoda: Mendoj se do të jetë një hap në drejtimin e duhur. Që nga paralajmërimi për mbajtjen e takimit, shumë analistë kanë thënë se nuk duhet të pritet shumë pasi bisedimet do të kenë në fokus çështjet ekonomike. Nuk duhet të minimizojmë rëndësinë e bisedimeve për çështje ekonomike pasi të gjithë e dimë se niveli i pagës mesatare në vendet tona është shumë i ulët dhe në interesin thelbësor të njerzve është të shohin rritjen e standardit të tyre.

Nëse ekzistojnë pako që po përgatiten si pjesë të marrëveshjes që do të çonte në stabilitet, ku besoj se do të përfshiheshin Fondi Monetar Ndërkombëtar, Banka Botërore, mbase edhe Banka Evropiane për Zhvillim dhe Rindërtim atëherë kjo është shenjë pozitive.

Mendoj se është e mundur që ky takim të mund të na ofrojë një paketë të tillë, domethënë programe dhe projekte të ndryshme investimesh, por, përsëri, të mos e mbajmë frymën, duhet së pari të shohim se çfarë do të ndodhë. Sigurisht, duhet të kujtojmë gjithashtu se ky është një takim që ishte menduar të zhvillohej më herët, por ai u shty për shkak të situatës që ndodhi me presidentin, Hashim Thaçi.

Por, më duhet ta përsëris se asgjë nuk do të ndodhë pa përpjekjet e bashkuara të Bashkimit Evropian, që është në rolin udhëheqës dhe Shteteve të Bashkuara të cilat do të jenë prezente në arritjen e një marrëveshjeje të mundshme.

 Në Kosovë thonë se marrëveshja përfundimtare do të përmbajë njohjen reciproke. A mendoni se presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq do të jetë i gatshëm të nënshkruajë diçka të tillë, dhe më çfarë çmimi?

Ivan Vejvoda: Nuk mendoj se qeveria serbe apo presidenti Vuçiq janë të gatshëm të nënshkruajnë njohjen e dyanshme në këtë kohë, megjithatë askush nuk e di çfarë mund të ndodhë në të ardhmen. Gjithçka që ai dhe qeveria serbe kanë thënë është se dëshirojnë marrëveshje, por që nuk parasheh njohjen e Kosovës.

Ajo që unë shoh janë hapa që çojnë në një stabilitet më të madh. Kjo është arsyeja pse në 15 ose 20 vitet e fundit, është folur shumë për të ashtuquajturin skenar të dy Gjermanive. Për të rikujtuar situata me dy Gjermanitë ka qenë e tillë që Gjermania Perëndimore është pajtuar që Gjermania Lindore të bëhet anëtare e plotë e Kombeve të Bashkuara, por duke mos e njohur pavarësinë e saj.

Sa i përket palës serbe, çështje kyçe mund të jetë garancia për sigurinë e komunitetit serb, Asosacioni i Komunave Serbe dhe natyrisht statusi i kishave ortodokse serbe në Kosovë. Ka pasur shumë raste të ngjashme në botë, por secila ka elemente specifike.

Në Evropë mund të përmendim rastin e Tirolit Jugor mes Austrisë dhe Italisë ose rasti i mëparshëm i Schlesëig-Holstein midis Danimarkës dhe Gjermanisë. Janë gjetur zgjidhje për këto çështje territoriale në botë, por në rastin e Kosovës dhe Serbisë mendoj se është kyçe çështja e lidershipit dhe guximit, si përshembull në rastin e Maqedonisë së Veriut dhe Greqisë, të gjithë e dimë sa shumë kundërshtime ka pasur në këto dy vende për llojin e marrëveshjes që është arritur.

Mendoj se në të dyja anët, Kosovë dhe Serbi do të ketë kundërshtime në veçanti nga ekstremistët nacionalistë, radikalët e djathtë, për një marrëveshje që mund të propozohet. Mirëpo, shumica e heshtur në të dyja anët, pra ata njerëz që e kuptojnë se kemi arritur në një pikë në histori kur duhet të gjendet një zgjidhje, në fund do të mbizotërojnë dhe shumica do ta pranojë një marrëveshje racionale që do të dalë nga negociatat.

 Një kohë të gjatë është folur për shkëmbimin e territoreve si pjesë e një zgjidhjeje mes dy vendeve. Pastaj u tha se kjo çështje nuk ekziston më si opsion. Sipas jush, a është ende në tryezë të diskutimeve kjo ide?

Ivan Vejvoda: Nuk mendoj se është në tryezë të diskutimeve. Nga e tëra që shohim muajt e kaluar ky opsion nuk ekziston më edhe nëse ka qenë më parë. Natyrisht, shumë skenare janë shtjelluar gjatë 20 viteve të kaluara. Kjo është në fakt ajo që bëjnë qeveritë, nga Uashingtoni deri në Berlin, ata shikojnë opsione dhe shikojnë se çfarë është e mundur të zbatohet. Pra, për mendimin tim kjo ide përfundimisht është jashtë tryezës, sepse po shikohet një zgjidhje evropiane, ku të dyja palët sikurse në çdo kompromis do të ishin të kënaqura, ose pjesërisht të kënaqura. Pra, ne po shikojmë në një zgjidhje që në fakt do të ishte e pranueshme që nuk do të përfshinte ndonjë çështje territoriale.

Kjo në veçanti ka qenë një qëndrim i fuqishëm që ka ardhur nga Berlini, dhe ne e dimë se Gjermani është partner kyç i rajonit në aspektin e sigurisë, politik ekonomik etj.

Fakti se kemi Francën dhe Gjermaninë, përkatësisht kancelaren gjermane Angela Merkel dhe presidentin Emmanuel Macron, të cilët janë angazhuar personalisht dhe seriozisht, më bën të kuptoj se Evropa dëshiron të shohë që ky element i jostabilitetit në territorin e saj, që është situata midis Kosovës dhe Serbisë, përfundimisht të zgjidhet.

Në anën e Serbisë kemi presidentin Vuçiq që ka një mandat të pastër tashmë dhe shumicën në Kuvend për të ndryshuar Kushtetutën dhe të shkojë në referendum.

Mendoj se ky është një element i rëndësishëm politik. Në anën e Kosovës, dhe ju e dini më mirë, ne do të shohim nëse qeveria e udhëhequr nga Avdullah Hoti do të jetë jetgjatë apo do të ketë zgjedhje të reja. Sidoqoftë mendoj se këto 20 vite na kanë treguar se nëse ne jemi aq evropianë dhe dëshirojmë të jetojmë duke ndarë vlerat, atëherë tash është koha të levizim përpara dhe të arrijmë marrëveshje.

(Kosova Sot Online)