Ramiz Lladrovci shërohet nga koronavirusi tregon si i refuzoi mundësitë për trajtim jashtë

  • E.K /
  • 21 August 2020 - 15:30
Ramiz Lladrovci shërohet nga koronavirusi tregon si i refuzoi mundësitë për trajtim jashtë

Kryetari i Drenasit, Ramiz Lladrovci është shëruar nga koronavirusi.

Lladrovci përmes Facebook-ut ka njoftuar se me ndihmën e mjekëvë ia ka dalë të shërohet nga Covid-19.

“Me mjekë, ia tregova vendin virusit të keq. Faleminderit”, ka shkruar Lladrovci.

Ai ka thënë se ka refuzuar ofertat për t’u shëruar jashtë vendit teksa ka vendosur të trajtohet në Klinikën Infektive.

“Para se të shkoja në Klinikë, pata oferta të shumta nga miqtë e mi të shkoja për trajtim në Gjermani dhe Austri. Mjekët që më ftuan, ishin shqiptarë, të gatshëm të ofronin trajtim profesional për shëndetin tim. Unë vendosa të trajtohem, në Klinikën Infektive në Prishtinë, te mjekët që i njihja dhe kisha besim në kompetencën e tyre. Kisha ditë vërtetë të rënda, edhe net të pafundme. Por, kujdesi i mjekëve tanë, ishte shembullor, gjatë 24 orëve, pavarësisht gjendjes time të rëndë. Më e rënda ishte, kur lexoja lajme alarmante apo dyshime për profesionalizmin e mjekëve tanë, apo mungesës së oksigjenit. Madje, ishte tepër e rëndë për mua, kur thuhej se ata që hyjnë të terapinë me oksigjen, janë në rrugë të mirë për të ikur nga kjo botë. Të gjitha këto i demantoj unë, për 17 ditë qëndrim në Klinikën Infektive”, ka thënë Lladrovci.

(Kosova Sot Online)