Britania, Gjermania dhe Franca kundër SHBA’së rreth sanksioneve ndaj Iranit

  • A.P /
  • 21 August 2020 - 23:08
Britania, Gjermania dhe Franca kundër SHBA’së rreth sanksioneve ndaj Iranit

Britania, Gjermania dhe Franca njoftuan se nuk mbështesin përpjekjen e SHBA-së për të rikthyer sanksionet ndërkombëtare kundër Iranit.

Britania, Gjermania dhe Franca, në një deklaratë të përbashkët me shkrim, rikujtuan se SHBA-ja ka njoftuar zyrtarisht Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara (KS-OKB) që do të përdorë mekanizmin për rikthimin e sanksioneve kundër Iranit.

Me tërheqjen nga marrëveshja në fjalë më 8 maj 2018, SHBA-ja nuk mund të jetë pjesëmarrëse në Planin e Përbashkët të Veprimit (JCPOA) lidhur me aktivitetet bërthamore të Iranit theksohet në deklaratën në të cilën thuhet se “Për këtë arsye nuk mund të mbështesim këtë veprim i cili nuk përputhet me përpjekjet tona aktuale për të mbështetur JCPOA”.

Ndërkohë SHBA-ja pretendon se nga pikëpamja teknike ajo është aktualisht pjesë e JCPOA edhe pse është tërhequr zyrtarisht nga marrëveshja.

Ndërsa vendet eUropiane që janë pro vazhdimit të marrëveshjes, kundërshtojnë këtë pretendim të SHBA-së dhe theksojnë se Uashingtoni nuk mund të vendosë në funksion mekanizmat përkatës në marrëveshje.

Sekretari amerikan i shtetit, Mike Pompeo, është shprehur se kanë informuar Këshillin e Sigurimit që do të përdorin mekanizmin (snapback) për të rivendosur sanksionet kundër Iranit dhe se duke filluar që nga sot sanksionet do të rivendosen në zbatim brenda 30 ditëve.

(Kosova Sot Online)