Mustafa i përgjigjet ashpër Haradinajt, lë të kuptohet se do ta kërkojë largimin e AAK-së nga Qeveria

  • E.K /
  • 25 August 2020 - 11:04
Mustafa i përgjigjet ashpër Haradinajt, lë të kuptohet se do ta kërkojë largimin e AAK-së nga Qeveria

Kreu i LDK-së, Isa Mustafa, ka shkruar se proceset me të cilat po ballafaqohet Kosova kërkojnë bashkëpunim dhe besim reciprok të të gjithë akterëve.

“Dialogu me Serbinë për njohje reciproke, qoftë në Washington apo në Bruksel do të jetë më përmbajtjesor dhe më i qëndrueshëm, nëse aksionarë të këtij dialogu janë pozita dhe opozita. Ndërkaq, strategjia e dialogut duhet të jetë çështje që diskutohet dhe formulohet nga kryeministri dhe kabineti i tij i ngushtë me partnerët e koalicionit dhe liderët e opozitës”, ka shkruar Mustafa në Facebook.

Ai thotë se duhet të kenë kujdes me strategjinë e brendshme, duke iu përgjigjur deklaratave që mbrëmë i dha kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj.

“Pa marrë parasysh arsyen dhe nevojën e komunikimit me publikun, duhet të kemi kujdes që për strategjinë tonë të mos marrë vesh Serbia përmes debateve në studiot tona televizive dhe përplasjeve të brendshme, sepse kjo në start e dëmton pozicionin dialogues të kryeministrit tonë.

Qeverisja e vendit me prioritet luftimi i pandemisë, rimëkëmbja ekonomike sikurse edhe dialogu për njohje reciproke, kërkon respekt institucional ndaj Qeverisë por gjithsesi edhe brenda Qeverisë. Një politikë qeverisëse dhe një zë qeverisës i bashkërenditur me kryeministrin”, ka thënë ai.

Mustafa e ka lënë të hapur mundësinë e rikonfigurimit të Qeverisë, duke thënë se nuk duhet të ndjekin persona të caktuar agjenda personale.

“LDK do të kërkojë që Qeveria të jetë e gatshme të bëjë rikonfigurime dhe ndryshime në çdo kohë për ata që nuk e kuptojnë rendin qeverisës dhe disiplinën qeverisëse; të cilët ndjekin agjenda personale apo partiake, apo për të cilët vlerësohet se e shpenzojnë pa meritë paranë publike.

Kemi premtuar Qeveri që do të jetë efikase në punën e saj, që do ta luftojë krimin dhe korrupsionin, që do të jetë racionale dhe e përgjegjshme ndaj parasë publike. Asnjë temë tjetër s’mund të na zhvendosë nga ky përcaktim”, ka shtuar Mustafa.

 

Proceset politike me të cilat po ballafaqohet vendi kërkojnë bashkëpunim dhe besim reciprok të të gjithë...

Publiée par Isa Mustafa sur Mardi 25 août 2020

(Kosova Sot Online)