Ish-ministri pagoi 16 mijë euro për dy dreka zyrtare

  • G.G /
  • 25 August 2020 - 11:06
Ish-ministri pagoi 16 mijë euro për dy dreka zyrtare

Zyra e Auditorit të Përgjithshëm në bazë vjetore ka kryen auditim në Ministrin e Tregtisë dhe Industrisë.

Auditori i Përgjithshëm ka gjetur keqpërdorime të shumta me buxhetin e kësaj ministrie e cila gjatë vitit 2019, ishte e udhëhequr nga Endrit Shala nga radhët e Nismas Socialdemokrate

Gjithsej 15 mijë e 967 euro i kanë kushtuar MTI-së vetëm dy dreka zyrtare gjatë 2019-s.

Ndonëse pagesat për dreka zyrtare dhe akomodimet nuk janë të lejuara me ligjin e prokurimit publik, faturat e këtyre dy drekave zyrtare janë paguar nga buxheti i shtetit përmes modulit të blerjes apo prokurimit.

Raporti i plotë nga Zyra e Auditorit të Përgjithshëm :

– Dreka zyrtare përmes modulit të blerjeve

Gjetja Sipas Ligjit të Prokurimit Publik Nr. 04/L-042 me plotësim ndryshime, lidhja e kontratave për furnizim me mallra dhe shërbime si dhe investime kapitale, duhet të realizohen përmes procedurave të prokurimit publik, me përjashtim të kontratave të cekura në nenin 3 të këtij ligji. Dy pagesa për dreka zyrtare në vlerë prej 9,200€ dhe 6,767€ ishin procesuar përmes modulit të blerjeve edhe pse këto shërbime janë të përjashtuara nga procedurat e prokurimit. Pagesat ishin realizuar pa dëshmi të nevojshme lidhur me aktivitetin, si agjenda, lista e pjesëmarrësve dhe dëshmi të tjera të cilat arsyetojnë mjetet e shpenzuara. Ndërkohë që, edhe pse këto shpenzime janë të përjashtuara nga prokurimi publik, ato janë procesuar përmes modulit të blerjeve (përmes prokurimit). Për më tepër, njëra nga pagesat edhe pse përmbante pjesën më të madhe të shpenzimit për nevoja të akomodimit, ishte kategorizuar si drekë zyrtare. Zyrtarët përgjegjës për procesimin e pagesave të tilla nuk kanë ofruar ndonjë përgjigje të bazuar. Kjo është një praktikë e cila është ndjekur nga ministria për shpenzime të tilla.

Ndikimi

Procesimi i këtyre shërbimeve nga zyrtarët e pa autorizuar është një indikacion lidhur me dobësitë e sistemit të kontrollit. Procesimi i pagesave pa u arsyetuar me dëshmi të mjaftueshme, rrit rrezikun e shpenzimeve të paarsyeshme dhe jo sipas çmimeve të tregut.

(Kosova Sot Online)