Sot Isa Mustafa, dje Ramush Haradinajn e paralajmëroi Fatmir Limaj

  • E.K /
  • 25 August 2020 - 11:41
Sot Isa Mustafa, dje Ramush Haradinajn e paralajmëroi Fatmir Limaj

Partnerët e koalicionit qeverisës nuk arritën që të pajtohen mes vete as pas një takimi dy orësh që e patën dje në Qeveri. Ani pse nuk kanë bërë shumë muaj në krye të ekzekutivit, LDK-AAK-NISMA po vazhdojnë të qëndrojnë të ndarë sa i përket dialogut e së fundmi edhe çështjes së presidentit. Mustafa dhe Limaj e kanë paralajmëruar Haradinajn për rikonfigurim të Qeverisë, pasi që nuk po deklarohet në vijë me ta.

769 ditë kanë kaluar kur Komisioni Evropian konfirmoi se Kosova ka plotësuar kriteret për viza

Pasditen e djeshme partnerët e koalicionit e patën një takim jo fort të lehtë në zyrën e kryeministrit Avdullah Hoti. Para mediave, pas dy orësh në tavolinë të bisedimit doli të fliste vetëm kreu i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj.

Për herë të parë, Limaj e përmendi mundësinë e zgjerimit të koalicionit qeveritar duke thënë se ai preferon një qeverisje të gjerë dhe stabile.

“Unë gjithmonë jam për një qeverisje të gjerë dhe stabile”, tha shkurtimisht ai, i pyetur për mundësinë e përfshirjes së PDK’së në Qeveri.

Se nuk i kanë ndrequr punët mes vete, dje tregoi edhe kreu i AAK’së, Ramush Haradinaj që i përsëriti akuzat ndaj LDK’së.

Kreu i AAK’së, bëri të ditur se nuk është i gatshëm që të lëshojë pe për postin e presidentit, duke thënë se Lidhja Demokratike nuk mund t’i ketë tri postet më të rëndësishme të shtetit, presidentin, kryeministrin e kryeparlamentarin.

“Unë nuk e kushtëzoj koalicionin me postin e presidentit, por kur të vijë koha e zgjedhjes se presidentit unë nuk kam obligim ndaj koalicionit. Në versionin që ne të mbesim pa vendimmarrje apo zgjedhjet e reja, ne jemi të hapur për zgjedhje. Zgjedhjet nuk i shoh problem në demokraci”, tha mbrëmë Haradinaj.

Këtyre deklarimeve të tij sot iu është përgjigjur kreu i Lidhjes Demokratike, Isa Mustafa përmes një shkrimi në Facebook.

Edhe Mustafa ka folur njëjtë si Limaj duke paralajmëruar zgjerimin e Qeverisë e përjashtimin e AAK’së.

“LDK do të kërkojë që Qeveria të jetë e gatshme të bëjë rikonfigurime dhe ndryshime në çdo kohë për ata që nuk e kuptojnë rendin qeverisës dhe disiplinën qeverisëse; të cilët ndjekin agjenda personale apo partiake, apo për të cilët vlerësohet se e shpenzojnë pa meritë paranë publike”, tha i pari i LDK’së.

Nuk dihet nëse LDK e Nisma kanë filluar bisedimet me PDK’në për zgjerim të koalicionit, pasi që një gjë e tillë është mohuar vazhdimisht nga partia e Kadri Veselit.

Në anën tjetër AAK’ja mund ti bashkohet Vetëvendosjes në mocion për rrëzimin e Hotit, nëse nuk i plotësohen kushtet që ka kërkuar nga partnerët.

(Kosova Sot Online)