Ja sa duhet të prisni për ta bërë një test për COVID-19 në Kosovë

  • A.P /
  • 25 August 2020 - 16:06
Ja sa duhet të prisni për ta bërë një test për COVID-19  në Kosovë

Nëse keni simptoma të koronavirusit ose shprehni dëshirën që të testoheni në laboratorët privatë në Kosovë me metodën PCR, atëherë vështirë se do të mund që të kryeni punë. Për ta bërë një test në laboratorët privat qytetarët po presin deri në dy javë. Kjo ngase të gjitha terminet deri më datë 2 shtator. E për testime me metodën PCR të licencuar nga Ministria e Shëndetësisë në Kosovë janë vetëm dy laboratorë private.

Ministria e Shëndetësisë gjatë muajit gusht ka licencuar disa institucione shëndetësore private, për të kryer teste serologjike dhe teste me metodën PCR për COVID-19, sëmundjen që e shkakton koronavirusi.

Deri më tani, në vendin tonë të licencuara janë vetëm dy laboratorë private të cilat kryejnë testime me metodën PCR. Laboratori Mjekësor i Mikrobiologjisë Klinike dhe laborator Mjekësor Biokimik-Hematologjik “Medical & Laboratory Services Sh.P.K “ – Prishtinë dhe Laborator Mjekësor i Mikrobiologjisë Klinike “ UBT “ – Lipjan.

Por laboratori privat i UBT’së ende nuk ka nisur me kryerjen e testeve me metodën PCR.  Express ka kontaktuar në numrat e telefonit që gjenden në faqen e këtij laboratori, por nga aty kanë thënë se ende nuk kanë nisur me bërjen e  testimeve PCR.

“Ende nuk kemi nisur me testime. Na e lini një numër telefoni dhe porsa të fillojmë do ju thërrasim”, thuhet në komunikimin me zyrtarët e këtij laboratori.

E në laboratorin  Mjekësor Biokimik-Hematologjik “Medical & Laboratory Services Sh.P.K për ta kryer një test me metodën PCR, pacientët do të duhet që të presin më së paku deri më datë 2 shtator.

Kjo ngase të gjitha terminet deri në atë datë janë të zëna.

“Na vie keq. Terminet deri më datë 2 shtator janë të zëna”, deklarojnë nga ky laborator.

Ministria e Shëndetësisë në Kosovë ka bërë të ditur të martën se ka licencuar edhe 11 laboratore tjera për kryerje të testeve serologjike për koronavirusin e ri.

Përmes këtyre testeve, një person e kupton nëse është prekur në të kaluarën me koronavirus, apo nëse ka krijuar anti-trupa ndaj tij

Marrë parasysh njoftimin e fundit, në gjithë territorin e Kosovës deri më tani janë licencuar 98 laboratorë për kryerje të testeve serologjike dhe virologjike për sëmundjen COVID-19, që shkakton koronavirusi.

Për dallim nga testet serologjike, testet virologjike – që aktualisht kryhen edhe në dy laboratore private në Kosovë – përcaktojnë nëse një person është i infektuar me koronavirus në kohën kur testohet.

Më 10 gusht, Ministria e Shëndetësisë ka nisur lëshimin e licencave për institucionet private shëndetësore që ato të kryejnë teste për COVID-19. Më parë, këtë shërbim e kryente vetëm Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK).

Prej 13 marsit, kur janë regjistruar rastet e para me koronavirus në Kosovë, Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike (IKSHPIK) ka raportuar për 12.683 të infektuar me këtë virus.

Deri më tani 8.788 pacientë janë shëruar, derisa aktualisht janë 3.407.raste aktive.

(Kosova Sot Online)