Ismajli: Rastet pozitive me Covid-19 në Gjilan po bien

  • A.P /
  • 25 August 2020 - 18:53
Ismajli: Rastet pozitive me Covid-19 në Gjilan po bien

Komiteti i Emergjencave në Gjilan, në mbledhjen e rregullt të mbajtur sot, ka konstatuar gjendjen me Covid-19, ku është konfirmuar se nga IKSHPK kanë rezultuar 7 raste pozitive dhe 18 negative nga 25 mostra të marra në dy ditët e mëhershme.

Nënkryetari i Komunës së Gjilanit, Arbër Ismajli, i cili ka kryesuar takimin e sotëm, ka thënë se është thirrje e përbashkët për kujdes permanent, në mënyrë që ta parandalojmë përhapjen e COVID-19.

Ai më tej ka potencuar se rastet janë duke shkuar drejt rënies në Gjilani, falë edhe lojalitetit qytetar dhe kujdestarisë që janë duke bërë në vazhdimësi me patrullimet e tyre Policia e Kosovës dhe inspektorët komunalë.

Në bazë të statistikave të përgjithshme të përballjes me pandeminë globale, Komuna e Gjilanit ka të regjistruar gjithsej 780 raste pozitive, prej tyre 564 janë shëruar plotësisht, 185 janë raste aktive dhe 31 qytetarë kanë humbur betejën me Covid-19, ndërsa 50 raste pozitive janë të hospitalizuar dhe nën kujdesin e stafit mjekësor.

(Kosova Sot Online)