Ministrja e Jashtme: Vizitat nga Serbia në prag të takimit të Washingtonit do të konsideroheshin provokime

  • E.K /
  • 26 August 2020 - 14:13
Ministrja e Jashtme: Vizitat nga Serbia në prag të takimit të Washingtonit do të konsideroheshin provokime

Sot disa media të caktuara në Serbi kanë ri-publikuar një lajm të vitit 2018 ku presidenti i Serbisë, Aleksander Vucic, kishtë parlajmëruar vizitë në Liqenin e Ujmanit.

Megjithatë një lajm i tillë është fshirë menjëherë nga mediat serbe, dhe B92 ka raportuar se Vuçiq nuk do të realizojë ndonjë vizitë në Ujman.

Lidhur me një zhvillim të tillë ka reaguar edhe Ministrja e Punëve të Jashtme, Meliza Haradinaj Stublla.

Ajo ka thënë se në këtë kohë, në prag të takimit të 4 shtatorit në Washington, çfarëdo vizite nga Serbia në Kosovë do të konsiderohej si provokim i cili do të prodhonte kundërefekt për procesin e negociatave.

“Në javën kritike kur Kosova bën përpjekje për të ndërtuar unitetin politik e institucional për takimin trilateral me Serbinë në Washington, nën lidershipin e Shtëpisë së Bardhë, vizitat potenciale do të konsideroheshin si provokim politik dhe kundërproduktiv përpara nismës serioze e konkrete që partnerët ndërkombëtar kanë ndërmarrë”, ka shkruar Haradinaj Stublla.

Kryediplomatja kosovare në fund ka thënë se “Kosova dhe resurset e saj natyrore janë pronë e Kosovës dhe qytetarëve të saj, e nuk do të bëhen asnjëherë plato e defilimeve provokuese për të tentuar avancimin e interesave që i përkasin shekullit të kaluar”.

(Kosova Sot Online)