Ankohet Vuçiq: Të gjithë janë kundër meje, por jemi në një situatë të vështirë me Kosovën…

  • E.K /
  • 27 August 2020 - 08:01
Ankohet Vuçiq: Të gjithë janë kundër meje, por jemi në një situatë të vështirë me Kosovën…

Presidenti serb Aleksandar Vucic ka thënë se të gjithë janë kthyer kundër tij, dhe prentendon se askush nuk po e kupton atë në lidhje me Kosovën, sepse siç thotë edhe ai Kosova nuk është më ajo e viteve të ’90-ta.

Vucic tha se vendi i tij është në një situatë të vështirë në lidhje me Kosovën dhe mendon se serbët nuk janë të vetëdijshëm për këtë.

“Të gjithë janë kundër meje, të gjithë vijnë për të më vrarë, për të më nxjerrë nga këtu. Njerëz, nuk mundet kështu! Kjo është arsyeja pse pozicioni ynë është jashtëzakonisht i vështirë. Kush mendon se është njësoj me Kosovën, siç ishte në vitet ‘91 dhe ’95, nuk është ashtu dhe ai e gënjen veten,” tha Vucic.

Pas një takimi me udhëheqjen e Republikës Serbe në Beograd, ai tha se serbët nuk e kuptojnë apo pretendojnë të mos e kuptojnë atë që ndodhi në vitin 1999 dhe 2008 dhe se ata mashtrohen nëse mendojnë se gjëra të tilla mund të kalojnë pa pasoja.

Vucic hodhi poshtë akuzat e opozitës serbe se do të nënshkruajë njohjen e Kosovës, për të cilën thuhet është duke e përgatitur terrenin. Ai ndërkohë u bëri thirrje serbëve që të zgjedhin një president tjetër në zgjedhjet e ardhshme, nëse ‘duan që dikush t’iu tregojë përralla për Kosovën’.

Kujtojmë, që një grup intelektualësh (opozitë), përfshirë akademikun Kosta CavoSki, prof. dr Milo Lompar, prof. Dr Dejan Mirovic, ish deputet nga Kosova Dr. Marko Jaksic, Dragana Trifkovic dhe të tjerë, ngritën kallëzime penale kundër presidentit serb Aleksandar Vucic për gjoja rrezikimin e rendit kushtetues dhe integritetit të Serbisë.

Raporti tregon se Aleksandar Vucic, me deklaratën e tij se ai qëndron për demarkacionin midis shtetit serb dhe provincës jugore serbe, rrezikon rendin kushtetues dhe integritetin e shtetit të Serbisë.Aplikantët e këtij kallëzimi penal tregojnë se ata paraqesin kërkesën penale në fjalë në interes të përgjithshëm.

Ata kërkojnë nga autoritetet kompetente një reagim dhe veprim urgjent mbi raportin, duke kontrolluar pretendimet e tij dhe duke lëshuar një urdhër për të kryer një hetim, ndaj Vucicit.

“Kjo akuzë veçanërisht tërheq vëmendjen e padisë publike për faktin se Vucici, nga pozita e kreut të shtetit, ofroi idenë e tij personale të formuluar përmes një “platforme” private për gjoja zgjidhjen e problemit të Kosmetit përmes delimitimit antikushtetues dhe shkëmbimit të territoreve tek autoritetet e paligjshme në Prishtinë dhe Hashim Thaçit, me një shpërdorim të dukshëm të pushtetit dhe autoritetit “, thuhet në shpjegimin e këtyre intelekualëve serbë.

(Kosova Sot Online)