Gjermania vendos masa më të ashpra për të frenuar koronavirusin

  • E.K /
  • 28 August 2020 - 11:31
Gjermania vendos masa më të ashpra për të frenuar koronavirusin

Gjoba prej 50 eurosh për këdo që kapet pa maskë, ndalim i festave të mëdha publike deri vitin e ardhshëm. Gjermania shtrëngon masat për të frenuar virusin Corona.

Kancelarja Merkel dhe 16 kryeministrat e landeve njoftuan se në kuadër të një sërë masash që synojnë të zvogëlojnë numrin e rasteve të koronavirusit në Gjermani do ta zgjasin ndalimin e organizimit të festave dhe të veprimtarive të mëdha publike deri vitin e ardhshëm.

Lexo Edhe:

MPB ngushëllon familjen e policit nga Peja që vdiq nga COVID-19

Kancelarja Angela Merkel theksoi pas video-konferencës se “në tërësi mund të themi me të drejtë se  deri tani ne e kemi kaluar mirë këtë pandemi. Megjithatë ne shohim po ashtu se javët e fundit numri i infeksioneve është rritur”. Ne e marrim shumë seriozisht këtë rritje të numrit të infeksioneve gjatë muajve të verës, shtoi kancelarja.

Masat e tjera përfshijnë një gjobë minimale prej 50 eurosh për këdo që kapet pa maskë në dyqane dhe mjetet e transportit publik. Në lidhje me kufizimin e numrit të pjesëmarrësve në festa private nuk u arrit ndonjë marrëveshje. Në vend të kësaj Merkel dhe kryeministrat e landeve u kërkuan gjermanëve të “peshojnë në mënyrë kritike” për çdo rast të caktuar nëse festa private është “e domosdoshme” dhe “e justifikueshme”.

Pushuesit dhe festuesit

Takimi midis Merkel dhe kryeministrave të landeve u zhvillua në një kohë kur në Gjermani po shënohet një rritje serioze e rasteve të koronavirusit. Shifrat e përditshme të infeksioneve në Gjermani janë rritur në nivele që nuk janë parë që nga fundi i prillit.

Si përgjegjës për përhapjen e virusit dhe për këtë rritje të infektimeve konsiderohen pjesërisht pjesëmarrësit në festat lokale, por edhe pushuesit që kthehen nga pushimet.

Kjo shpjegon edhe një masë tjetër për të cilën u ra dakord në takim: fjala është për ndërprerjen e testimeve falas për koronavirusin të udhëtarëve që kthehen nga zona jo me rrezik. Tani rëndësi do t’u jepet rregullave të karantinës për personat që kthehen nga rajone me rrezik të lartë.

Problem pakujdesia dhe shpërfillja e rregullave

Zyrat e Shëndetit Publik thonë se problem është bërë edhe pakujdesia dhe shpërfillja e rregullavenga ata persona që nuk ndjekin masat e higjenës dhe të distancimit fizik. Kjo shpjegon edhe vendimin për gjobitjen në shkallë vendi të atyre që nuk mbajnë maskë. Më parë dënimet ishin shumë të ndryshme nga shteti në shtet.

Merkel dhe kryeministrat e landeve theksuan se “mbulimi i gojës dhe hundës në mjedise të caktuara publike është i detyrueshëm dhe duhet të kontrollohet dhe sanksionohet në mënyrë të vazhdueshme nga autoritetet e rendit publik”./dw/

(Kosova Sot Online)