Hoti merret vesh me ambasadat për shkëmbim të informatave dhe analizave për luftimin e pandemisë

  • E.K /
  • 28 August 2020 - 13:39
Hoti merret vesh me ambasadat për shkëmbim të informatave dhe analizave për luftimin e pandemisë

Kreu i Qeverisë, Avdullah Hoti ka mbajtur sot një takim virtual me ambasadorët e akredituar në Kosovë, ku është diskutuar për situatën epidemiologjike dhe pasojat e pandemisë COVID 19.

Kështu është bërë e ditur përmes një njoftimi për media nga Qeveria.

“Në këtë takim, në të cilin morën pjesë ambasadorët Philip S. Kosnett (SHBA), Nicholas Abbott (Mbretëri e Bashkuar), Jörn Rohde (Gjermani), Marie-Christine Butel (Francë), Nicola Orlando (Itali), Natacha Gomes (Luksemburg), zëvendësambasadorja e Norvegjisë Jenny Stenberg Sørvold, Drejtori i Bankës Botërore për Kosovën, Massimiliano Paolucci, koordinatorja për Zhvillim e Agjencive të Kombeve të Bashkuara, Ulrika Richardson, zëvendësshefi i Zyrës së BE-së në Kosovë, Riccardo Serri, shefi i Seksionit të Bashkëpunimit të BE-së me Kosovën, Luigi Brusa dhe zëvendëskryesuesja e Bashkëpunimit e Zyrës së BE-së në Prishtinë, Hillen Francke”, thuhet në njoftim.

Sipas komunikatës, Hoti paraqiti situatën epidemiologjike dhe veprimet që po ndërmarrin institucionet tona për t’i rritur kapacitet e menaxhimit dhe parandalimit të përhapjes së pandemisë COVID 19.

Pjesëmarrësit në diskutim u pajtuan që të intensifikohet koordinimi i punës së institucioneve të Kosovës me partnerët ndërkombëtarë, veçanërisht sa u përket nevojave që ka sistemi ynë shëndetësor për ta përballuar situatën epidemiologjike gjatë periudhës në vazhdim.

Gjithashtu, u arrit pajtimi që të formalizohet një mekanizëm i përbashkët i shkëmbimit të informacionit të analizës për situatën epidemiologjike, me qëllim të ndërmarrjes së veprimeve të përbashkëta.

(Kosova Sot Online)