Sudani nënshkruan marrëveshje historike të paqes me 5 grupe rebelësh

  • E.K /
  • 31 August 2020 - 12:35
Sudani nënshkruan marrëveshje historike të paqes me 5 grupe rebelësh

Qeveria e Sudanit ka nënshkruar marrëveshje të paqes me pesë grupet kryesore të rebelëve të hënën. Ky është një hap i rëndësishëm drejt zgjidhjes së konflikteve të rrënjosura, të cilat u thelluan gjatë kohës së ish-presidentit Omar al-Bashir.

Sipas zyrtarëve civilë dhe ushtarakë, të cilët e kanë ndarë pushtetin në qeverinë e përkohshme, mbyllja e konflikteve të brendshme është prioriteti kryesor i ekzekutivit gjatë periudhës kalimtare 39-mujore.

Sipas marrëveshjes së nënshkruar në kryeqytetin e Sudanit Jugor, Juba, grupet rebele do të kenë përfaqësim politik dhe pushtet, integrim në forcat e sigurisë, të drejta të pronës dhe të drejta ekonomike si dhe të drejtën për kthimin e personave të zhvendosur, shkruan Reuters.

Në mesin e grupeve që nënshkruan marrëveshje të paqes me qeverinë sudaneze janë Lëvizja për Drejtësi dhe Barazi, Ushtria Çlirimtare e Sudanit dhe Lëvizja Veriore për Çlirim.

Mbi 300,000 persona besohet të jenë vrarë dhe 2.5 milionë të tjerë të jenë zhvendosur për shkak të konfliktit në rajonin Darfur pas vitit 2003, kur forcat qeveritare dhe militantët arabë nisën aksione për shtypjen e rebelëve kryesisht joarabë.

(Kosova Sot Online)