Ambasadori i Libanit në Gjermani pritet të bëhet kryeministër i vendit në krizë

  • E.K /
  • 31 August 2020 - 12:53
Ambasadori i Libanit në Gjermani pritet të bëhet kryeministër i vendit në krizë

Ambasadori i Libanit në Gjermani, Mustapha Adib, pritet të bëhet kryeministër i ri i vendit të Lindjes së Mesme para vizitës së presidentit francez në Bejrut.

Kreu i shtetit francez, Emmanuel Macron, që do të arrijë në Liban në orët e vona të së hënës, i ka udhëhequr përpjekjet ndërkombëtare për t’i nxitur liderët e përçarë të shtetit që t’i luftojnë shkaktarët e krizës ekonomike.

Me ekonominë në gjendje të rëndë dhe me Bejrutin e shkatërruar nga shpërthimi i fuqishëm dhe tensionet në rritje mes sekteve, ish-protektorati francez është duke u përballur me kërcënimin më të madh ndaj stabilitetit të vet që nga lufta civile e viteve 1975 – 1990.

Zyrtarët e lartë libanezë kanë thënë se ndërmjetësimi i presidentit francez ishte jetik për sigurimin e një kandidati për kryeministër në 48 orët e fundit para njoftimit për marrëveshje.

Javën e kaluar, politikanët e këtij vendi ndodheshin në një proces tërësisht të bllokuar në lidhje me caktimin e kryeministrit të ri, shkruan Reuters.

Mustapha Adib është duke shërbyer si ambasador i Libanit në Gjermani që nga viti 2013 dhe më parë ka qenë këshilltar i një ish-kryeministri. Ai pritet ta marrë shumicën bindëse të votave të deputetëve.

(Kosova Sot Online)