Shkencëtarët shohin anë të dobëta të vaksinave të Rusisë dhe Kinës

  • G.G /
  • 31 August 2020 - 13:14
Shkencëtarët shohin anë të dobëta të vaksinave të Rusisë dhe Kinës

Vaksinat kundër koronavirusit, të zhvilluara në Rusi dhe Kinë, e kanë një pikë të dobët të përbashkët. Ato janë të bazuara në një virus të ftohjes së rëndomtë, ndaj të cilit kanë qenë të ekspozuar shumë njerëz, duke e kufizuar potencialisht efikasitetin e tyre, thonë disa ekspertë.

Vaksina e zhvilluar nga kompania “CanSino Biologics”, e miratuar për përdorim ushtarak në kinë, është një formë e modifikuar e adenovirusit të tipit 5, i njohur si Ad5.

Edhe një vaksinë tjetër, e zhvilluar në Rusi, është e bazuar në AD5 dhe një adenovirus tjetër, që është më i rrrallë, shkruan Reuters.

“Ad5-shi më shqetëson mua thjesht sepse shumë njerëz kanë imunitet. Nuk jam e sigurt se cila është strategjia e tyre. Ndoshta do të ketë 70 për qind efikasitet, ndoshta 40 për qind dhe kjo është më mirë se asgjë, derisa të vijë diçka më e mirë”, tha Anna Durbin, hulumtuese për vaksina në Universitetin “Johns Hopkins”.

Hulumtuesit kanë eksperimentuar me vaksina të bazuara në Ad5 kundër disa infeksioneve për dekada të tëra, por asnjëra prej tyre nuk përdoren gjerësisht.

Në Kinë dhe në Shtetet e Bashkuara, rreth 40 për qind e njerëzve kanë nivele të larta të antitrupave për shkak të ekspozimit të mëhershëm ndaj Ad5-shit. Sipas ekspertëve, kjo përqindje në Afrikë mund të jetë rreth 80 për qind.

Vaksina kundër koronavirusit vlerësohet si jetike për t’i dhënë fund pandemisë, nga e cila deri më tani kanë vdekur më shumë se 845 mijë persona në mbarë botën.

(Kosova Sot Online)