Sa vota fituan listat e shqiptarëve në zgjedhjet e djeshme në Mal të Zi?

  • G.G /
  • 31 August 2020 - 13:17
Sa vota fituan listat e shqiptarëve në zgjedhjet e djeshme në Mal të Zi?

Sipas rezultateve të parakohshme të zgjedhjeve parlamentare që u mbajtën dje në Mal të Zi, dy listat shqiptare në kombinim në Komunën e Tuzit fituan rreth 3.700 vota . Lista shqiptare “Koha është tani” rreth 3300 vota dhe lista tjetër shqiptare “Bashkë nji za” rreth 400 vota.

Krahasuar me zgjedhjet lokale që u mbajtën vitin e kaluar në Komunën e Tuzit, partitë shqiptare kanë arritur të ruanin numrin e përkrahjes në vota, por jo edhe t’a rrisin atë. Në zgjedhjet lokale të 2019-s blloku shqiptar kishte fituar rreth 3.690 vota.

Realisht, pas bashkimit dhe fitores të bllokut shqiptar në zgjedhjet lokale në Komunën e Tuzit dhe një funksionimi mjaft të mirë duke konsideruar kohëzgjatjen dhe rrethanat, ishte e pritshme rritja e elektoratit ndaj partive shqiptare.

Rikujtojmë se në zgjedhjet e djeshme parlamentare, lista shqiptare “Koha është tani” (Forca-ASH-LDSH-Perspektiva-Unioni Tuz) ka fituar rreth 1,4% të votave – 1 mandat, ndërsa lista tjetër shqiptare “Bashkë nji za” (PD-UDSH-LDnëMZ) rreth 1,1% të votave – 1 mandat. Kjo e fundit sipas sondazheve disa ditë para zgjedhjeve, parashikohej se nuk do të kalonte as pragun zgjedhor prej 0,7%.

(Kosova Sot Online)