Nga sot trajtimi i pacientëve me COVID-19 bëhet vetëm në Infektive dhe Pulmologji

  • E.K /
  • 31 August 2020 - 14:37
Nga sot trajtimi i pacientëve me COVID-19 bëhet vetëm në Infektive dhe Pulmologji

Ushtruesi i detyrës së drejtorit të përgjithshëm të ShSKUK-së, Valbon Krasniqi, ka thënë se nga sot do fillojë të lirohet Klinika e Neurologjisë nga pacientët të cilët po trajtohen aty për koronavirus.

Krasniqi thotë se qëllimi është të lirohen klinikat e tjera në të cilat aktualisht po trajtohen pacientë me COVID-19, të dërgohen në Klinikën Infektive dhe në atë të Pulmologjisë, ashtu që të rikthehet shërbimi për pacientë që nuk janë të infektuar.

“Gjendja e pacientëve vazhdon të mbetet e rënduar. Ende kemi pacientë në gjendje të rëndë dhe në numër të madh. Kemi vendosur që sot gradualisht të lirojmë Klinikën e Neurologjisë, nga data 21 në repartin e operativës së gjinekologjisë nuk ka pacientë me COVID. Sot pacientët që janë në neurologjisë do t’i bartim në Klinikën e Pulmologjisë dhe Infektologjisë, që të provojmë t’i kemi pacientët vetëm në këto dy klinika dhe t’i kthejmë shërbimet për pacientët e tjerë”, ka thënë Krasniqi në një konferencë pas takimit me ministrin e shëndetësisë, në Mjekimin Qendror Intensiv në QKUK.

Ai thotë se pavarësisht se ka rënie të numrit të pacientëve që kërkojnë trajtim në QKUK, mbetet numër i rëndë i tyre në klinika.

“Edhe pse javët e fundit vërehet një trend i lehtë i numrave që kërkojnë trajtim në spitale, ende kemi numër të rënduar. Ende kemi mbi 40 pacientë në respirtatorë. Është mundësia e fundit e pacientëve për t’u ndihmuar dhe stafi po bëjnë të pamundurën tu vijnë në ndihmë”.

Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj  ka treguar se po ka mungesë të anesteziologëve, por se me anë të rritjes së specializimeve së shpejti pritet t’i bashkohen një numër i atyre që kanë përzgjedhur këtë lëmi për specializim luftës për COVID-19.

Zemaj po ashtu ka folur edhe për një trajtim të mundshëm me plazmë të gjakut. Ka thënë se MSH-ja do ta mbështesë këtë nëse profesionistët shëndetësorë e vlerësojnë se është trajtim i suksesshëm.

“MSH-ja ka obligim të vazhdojë mbështetjen dhe po ashtu ngritjen e resurceve humane e kapaciteteve në infrastrukturë. Në këtë klinik nuk mungon asgjë. Në mungesë të numgrit të anesteziologëve, MSH i ka dhënë përkrahje rritjes së numrit të specializimëve dhe do të shtohen së shpejti një numër i tyre në këtë kontingjent. Këtë javë jemi në trajtim analitik të gjendjes në përgjithësi, së bashku me IKSHPK-në. Kemi punuar në hartimin dhe draftimin e miratimin të dhjetë udhërrëfyesve të ri klinik që mungojnë në shëndetësinë kosovare. Sa i përket përdorimit të plazmës së gjakut nëse shihet se është e suksesshme nga ekspertët shëndetësorë atëherë do ta përkrahim”, ka thënë Zemaj.

Ai është pyetur edhe për laboratorin privat “Medical & Laboratory Services”, për çmimet 200 euro në këtë laborator për testim PCR. Por Zemaj nuk ka dashur të komentojë më tepër.

“Çka kam pasur ta them e kemi thënë nëpërmjet komunikatës së MSH-së dhe këto tema t’i trajtoni pa ndërhyrje dhe ngarkesa të atyre që janë në konflikt në personal dhe të oligarkëve të ndryshëm. Kemi licencuar më shumë se 120 laboratorë. Jemi në proces të licencimit dhe tjerëve. Të gjithë që plotësojnë kriteret do të licencohen. Është kompetencë e organeve të tjera t’i mbikqyrin, përfshirë AKK-ja e ATK-ja. Ne e bëjmë punën tonë profesionale”, ka thënë Zemaj.

Ai po ashtu ka folur edhe për shtesat e personelit shëndetësorë.

“Personeli shëndetësor i kanë marrë një pjesë të konsiderueshme. I kemi thënë drejtorit të SHSKUK të hartojë listat. Nga muaji shtator i gjithë personeli shëndetësor do ta ketë shtesën. Deri më tash kemi qenë të cunguar, për shkak të vendimeve që kanë qenë të arsyeshme nga Qeveria e Kosovës”, ka thënë Zemaj.

(Kosova Sot Online)