Venezuela kërkon vullnetarë për ta testuar vaksinën ruse

  • E.K /
  • 31 August 2020 - 15:00
Venezuela kërkon vullnetarë për ta testuar vaksinën ruse

Presidenti i Venezuelës, Nicolas Maduro, ka njoftuar se do të kërkojë vullnetarë për të testuar një vaksinë kundër koronavirusit, e cila është zhvilluar nga Rusia.

Rusia ishte shteti i parë që zyrtarisht e regjistroi vaksinën kundër koronavirusit. Këtë e bëri më 11 gusht, shkruan BBC.

Megjithatë, ekspertët kanë shprehur dyshime se kjo vaksinë nuk i është nënshtruar testimit të mjaftueshëm.

Qeveria e Venezuelës, e cila ka marrë miliarda dollarë hua nga Rusia, tha se ka vullnet për të marrë pjesë në testimin e vaksinës në njerëz.

“Në ditët e ardhshme, ne do të kërkojmë vullnetarë për t’u vaksinuar”, tha Maduro të dielën.

Deklarata e tij lë të kuptohet se Venezuela ende nuk i ka siguruar vullnetarët që do ta marrin vaksinën ruse, ndonëse një ministër tha para dhjetë ditëve se vendi i tij ia ka ofruar Rusisë 500 vullnetarë.

(Kosova Sot Online)