Vdes nga koronavirusi ish-presidenti i Indisë

  • E.K /
  • 31 August 2020 - 15:24
Vdes nga koronavirusi ish-presidenti i Indisë

Ish-presidenti i Indisë, Pranab Mukherjee, ka vdekur 21 ditë pasi konfirmoi se është infektuar me koronavirusin e ri, që po e shkakton sëmundjen e njohur si Covid-19.

Ish-politikani 84-vjeçar ishte duke qëndruar në spital për një operacion në tru, kur gjithashtu u diagnostikua me Covid-19, shkruan BBC.

Para se të shërbente si president nga viti 2012 deri në vitin 2017, Mukherjee i mbajti edhe disa pozita tjera të rëndësishme gjatë karrierës politike që i zgjati 51 vjet.

Ai më parë ka shërbyer edhe si ministër i Financave, ministër i Jashtëm dhe ministër i Mbrojtjes.

Lajmin për vdekjen e tij e bëri të ditur i biri i vet përmes një postimi në rrjetin social, Twitter.

Posti i presidentit në Indi ka kryesisht karakter ceremonial, por ka rol të rëndësishëm gjatë zgjedhjeve, sepse presidenti vendos cilën parti apo koalicion ta ftojë për formimin e qeverisë, nëse rezultati mes pjesëmarrësve në zgjedhje është i ngushtë.

Mukerjee më parë ka qenë anëtar në bordet e Fondit Monetar Ndërkomëbëtar dhe Bankës Botërore.

(Kosova Sot Online)