Trump mbron të riun që vrau dy protestues: Ai po përpiqej të ikte

  • E.K /
  • 01 September 2020 - 09:15
Trump mbron të riun që vrau dy protestues: Ai po përpiqej të ikte

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, e ka mbrojtur një djalë 17 vjeç, i cili akuzohet për vrasjen e dy personave gjatë protestave në Kenosha, duke thënë se sulmuesi i armatosur po përpiqej të ikte dhe do të vritej nga protestuesit, nëse nuk do të qëllonte me armë.

Kreu i Shtëpisë së Bardhë do ta vizitojë Kenoshan të martën. Ky vend është përfshirë nga protestat që nga 23 gushti, kur Jacob Blake, një person me ngjyrë, u qëllua shtatë herë nga policia dhe u paralizua.

Në natën e tretë të protestave, Kyle Rittenhouse, 17 vjeç, i qëlloi me armë tre protestues, dy prej të cilëve humbën jetën, shkruan Reuters.

“Ai po përpiqej të ikte nga ta dhe më pas u rrëzua dhe pastaj ata e sulmuan atë në mënyrë shumë të dhunshme. Unë supozoj se ai ishte në telashe shumë të mëdha. Ai ndoshta do të vritej”, tha presidenti amerikan gjatë një konference për gazetarë.

Kyle Rittenhouse, 17 vjeç, është akuzuar nga organet e drejtësisë me dy akuza për vrasje të shkallës së parë dhe një akuzë për tentim të vrasjes.

Ish-nënpresidenti amerikan dhe kandidati për president të ardhshëm, Joe Biden, e ka akuzuar presidentin republikan për nxitje të dhunës përmes retorikës së tij.

Në anën tjetër, presidenti Trump ka thënë se nëse Joe Biden i fiton zgjedhjet e nëntorit, dhuna në Shtetet e Bashkuara do të shtohet.

(Kosova Sot Online)