Sondazh botëror: 74 për qind e njerëzve do ta merrnin vaksinën kundër koronavirusit

  • E.K /
  • 01 September 2020 - 09:31
Sondazh botëror: 74 për qind e njerëzve do ta merrnin vaksinën kundër koronavirusit

Rreth tri të katërtat e njerëzve në botë, të cilët kanë marrë pjesë në një sondazh me përmasa globale, kanë thënë se janë të gatshëm që ta marrin vaksinën kundër koronavirusit, kur ajo të zbulohet.

Sondazhi i bërë nga Ipsos-i për Forumin Ekonomik Botëror përfshiu rreth 20,000 persona në 27 shtete të ndryshme, shkruan CNN.

Përqindja më e madhe e njerëzve që janë të gatshëm ta marrin vaksinën ishte në Kinë, ndërsa përqindja më e ulët u regjistrua në Rusi.

Në Kinë, 87 për qind e personave që morën pjesë në këtë sondazh thanë se do ta merrnin vaksinën kundër koronavirusit, ndërsa në Rusi përgjigje pozitive dhanë vetëm 54 për qind e të anketuarve.

Në Shtetet e Bashkuara, kjo shifër ishte 67 për qind, ndërsa nga ata që u përgjigjën negativisht, 60 për qind e tyre thanë se më së shumti brengosen për efektet anësore të vaksinës, ndërsa 37 për qind thanë se besojnë që vaksina nuk do të jetë efektive.

Për më tepër, vetëm 40 për qind e personave që morën pjesë në sondazh besojnë se vaksina kundër koronavirusit do të jetë e gatshme brenda këtij viti.

(Kosova Sot Online)