Pandemia e uli numrin e kurorëzimeve, i “zhduki” divorcet në Kosovë

  • E.K /
  • 01 September 2020 - 12:44
Pandemia e uli numrin e kurorëzimeve, i “zhduki” divorcet në Kosovë

Pandemia ka ndikuar dukshëm në uljen e kurorëzimeve dhe shkurorëzimeve në vend. Në katër muajt e parë në përballje me COVID-19, janë realizuar mbi 2 mijë e 200 kurorëzime, derisa i kanë dhënë fund martesës 40 çifte. Krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, janë realizuar rreth 3 mijë e 500 kurorëzime më pak.

Kështu thuhet në raportin “Buletini Tremujor T2”, të publikuar nga Agjencia e Statistikave të Kosovës.

Sipas këtij raporti, në muajin kur u konfirmuan dy rastet e para me koronavirusin e ri në vend, i kanë dhënë fund beqarisë rreth 3 mijë e 400 kosovarë, derisa janë shkurorëzuar 34 çifte.

Numri i kurorëzimeve dhe shkurorëzimeve vetëm sa ka shkuar duke u ulur në prill, maj dhe qershor.

Nga rreth 1 mijë e 700 kurora të lidhura në mars, në prill janë kurorëzuar vetëm 78 çifte, derisa nuk është regjistruar asnjë divorc.

Numri i divorceve ka qenë shumë i vogël edhe në maj e qershor. Gjatë këtyre dy muajve, janë shkurorëzuar vetëm tri çifte.

Krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, janë realizuar rreth 3 mijë e 500 kurorëzime dhe mbi 180 divorce më pak.

Bazuar në raportin për tremujorin e dytë të vitit 2019 të publikuar nga ASK’ja, vjet nga 1 marsi deri në qershor janë kurorëzuar mbi 5 mijë e 600 çifte, derisa numri i shkurorëzimeve ka qenë 230.

(Kosova Sot Online)