BE thotë se Mali i Zi duhet ta shfrytëzojë mundësinë për të përshpejtuar reformat

  • E.K /
  • 01 September 2020 - 14:33
BE thotë se Mali i Zi duhet ta shfrytëzojë mundësinë për të përshpejtuar reformat

Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Joseph Borrell, dhe komisionari për Zgjerim i BE-së, Oliver Varhelyi, thanë se zgjedhjet në Mal të Zi janë mbajtur në atmosferë të qetë dhe konkurruese.

Ata thanë se janë në pritje të konstituimit të kuvendit të ri dhe formimit të një qeverie të re, që do të vazhdojë rrugën e Malit të Zi drejt BE-së.

Në një deklaratë të përbashkët për zgjedhjet parlamentare në Mal të zi, që u mbajtën më 30 gusht, Borrell dhe Varhelyi thanë se në muajt e ardhshëm, Mali i Zi duhet ta shfrytëzojë mundësinë për të thelluar dhe përshpejtuar reformat politike dhe ekonomike, veçanërisht në fushën e sundimit të ligjit.

Duke u thirrur në raportin paraprak të Zyrës për Institucione Demokratike dhe të Drejta të Njeriut (ODIHR), ata thanë se procesi zgjedhor është zhvilluar me një debat të polarizuar mbi çështjet e kishës dhe identitetit kombëtar dhe se ka pasur shqetësime për avantazhin e partisë në pushtet dhe raportimin e pabalancuar në media.

Borrell dhe Varhelyi kërkuan nga aktorët politikë dhe institucionet përkatëse që, pas raportit përfundimtar të ODIHR-it, të angazhohen në një dialog transparent, vendimtar dhe gjithëpërfshirës për zbatimin e rekomandimeve.

Dy zyrtarët e lartë evropianë konfirmuan se BE-ja është plotësisht e angazhuar për të vazhduar mbështetjen e procesit të pranimit të Malit të Zi në BE, si dhe për rimëkëmbjen e tij ekonomike pas pandemisë COVID-19.

Të dielën në Mal të Zi u mbajtën zgjedhjet parlamentare, në të cilat, për herë të parë pas tri dekadash, Partia Demokratike e Socialistëve e presidentit Millo Gjukanoviq ka humbur.

Zgjedhjet u fituan nga partitë opozitare që konsiderohen si pro-serbe dhe pro-ruse.

Mali i Zi, përndryshe, konsiderohet lider në procesin e integrimit evropian. Ai ka qenë vendi i parë i Ballkanit Perëndimor që ka nisur negociatat e pranimit me Bashkimin Evropian, në qershor të vitit 2012.

(Kosova Sot Online)