FFK-ja po ua jepë Superligën e Kosovës Devollëve, klubet s’dinë çka po zihet!

  • A.P /
  • 02 September 2020 - 16:55
FFK-ja po ua jepë Superligën e Kosovës Devollëve, klubet s’dinë çka po zihet!

Klubet e Superligës së Kosovës në futboll kanë mbetur vetëm spektatorë në procesin e shitjes së drejtave televizive të kampionatit të ri që nis më 12 shtator nga ana e Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), ndonëse klubet natyrisht se janë akterët kryesorë në futbollin kosovar.

Gazeta Express të martën raportoi se “Artmotion” – që është në pronësi të Devollëve, të cilët nuk lënë tender pa e fituar – këto ditë pritet të shpallet fitues i drejtave televizive nga ana e FFK-së, përmes një procesi shumë të dyshimtë.

Federata e Futbollit e Kosovës (FFK) e kishte hapur tenderin më 5 gusht. Kompanitë mediale kishin afat deri më 12 gusht të konkurronin. Por, fituesi nuk është shpallur as disa javë pas mbylljes së afatit të tenderimit. Media ka mësuar se një komision i FFK-së e ka përgatitur një raport nga ky proces, përmes së cilit e rekomandon Komitetin Ekzekutiv të FFK-së që ta shpall “Artmotion” fitues të transmetimit të kampionatit të ri.

Krejt kjo po ndodh në ditët kur vëmendja e të gjithëve ishte e përqendruar kah ndeshjet e Kombëtares së Kosovës në Ligën e Kombeve ndaj Moldavisë dhe Greqisë.

Fitorja e “Artmotion” në futbollin kosovar përflitej muaj më herët para hapjes së tenderit. Po ashtu, ofertat financiare janë mbajtur të fshehta për disa ditë. Ndërsa, praktikat dhe ligjet në Kosovës i obligojnë instucionet që ofertat financiare me i çelë në prezencë të palëve. Dhe, kjo i shton dyshimet mbi korrektësinë e këtij procesi.

Dyshime mbi këtë proces kanë shprehur edhe Trepça ’89, Drita dhe Ballkani.

Kurse, Feronikeli dhe Llapi kanë konfirmuar se nuk e kanë marrë asnjë informatë rreth procesit të shitjes së drejtave televizive të ndeshjeve të tyre.

“Zakonisht, viteve të kaluara, jemi ftuar në takim nga FFK-ja para nënshkrimit të kontratës. Sivjet ende nuk jemi ftuar dhe nuk kemi informata përpos atyre që po i shohim në media. Andaj, nuk di se çka të themi. Po e presim ftesën për takim paraprakisht”, tha drejtori i Feronikelit, Artan Berisha. 

Kurse, donatori i Llapit, Tahir Batatina, shpreh habi me atë se çfarë po ndodh me tenderin e hapur, por edhe të dyshimtë, të FFK-së.

“Asnjëherë nuk jemi ftuar në ndonjë takim, asnjëherë nuk na është dhënë ndonjë informatë, edhe pse të klubeve janë ndeshjet kampionale transmetimi televiziv i të cilave po shiten. Informata kemi marrë vetëm nga raportimet e mediave. Konsideroj se është dashtë të ketë transparencë sepse klubet po shpenzojnë shumë dhe neve na intereson një tender i hapur, konkurrues, transparent, dhe kushdo që ofron më shumë para të shpallet fitues. Nëse vërejmë që ka pasur parregullsi, nëse konstatojmë se jemi dëmtuar si klube nga mundësia e përfitimit më të madh, natyrisht se do të reagojmë”, tha për Express donatori i klubit të madh kosovar, Llapit, Tahir Batatina.

Përpos “Artmotion”, kishte konkurruar edhe “Kujtesa” dhe po ashtu një tjetër media. Kurse, “Digitalbit’ iu kishte pamundësuar konkurrimi për shkak se është subjekt i jashtëm (nga Shqipëria), ndonëse “Digitalbi” në tetë vjetët e fundit rresht e kishte të drejtën e transmetimit të futbollit kosovar. “Digitalb” ka paralajmëruar ankesë në gjykatë dhe UEFA, i bindur në parregullsi.

Përvoja nga e kaluara tregon se klubet mund ta “shkatërrojnë” procesin nëse fituesi është përcaktuar para hapjes së tenderit. Qysh në edicionin 2015-2016 të gjitha klubet ishin bashkë me FFK-në për t’ia shitur drejtat televizive “Digitalbit”. Por, vetëm FC Prishtina ishte kundër dhe e pakënaqur. Klubi më i madh kosovar ishte ndarë prej 11 klubeve tjera që ishin me “Digitalbin”, duke ia dhënë ndeshjet e saj Radio Televizionit të Kosovës. Dhe, FFK kishte mbetur si spektatore, duke mos arritur ta bindte Prishtinën t’u bashkohet 11 klubeve tjera në “Digitalb”.

(Kosova Sot Online)