BE’ja dënon helmimin e “turpshëm” të Navalnyt

  • A.P /
  • 02 September 2020 - 21:21
BE’ja dënon helmimin e “turpshëm” të Navalnyt

Shefja e Bashkimit Evropian, Ursula von der Leyen, ka dënuar të mërkurën atë që e ka cilësuar helmim “të turpshëm dhe frikacak” të liderit opozitar rus, Aleksei Navalny.

Ajo ka thënë se ata që janë përgjegjës duhet të përballen me drejtësinë, pasi Gjermania ka njoftuar se ekspertët e armëve kimike kanë ardhur në përfundim se Navalny është helmuar me agjent nervor, Noviçok.

“Jam informuar nga kancelarja (Angela) Merkel se lideri opozitar rus, Navalny është sulmuar me agjent nervor në shtetin e tij”, ka thënë von del Leyen.

“Ky është akt i turpshëm dhe frikacak- edhe një herë. Kriminelët duhet të përballen me drejtësinë”, ka shtuar ajo.

Përfaqësuesi i Lartë për Politikë të Jashtme në Bashkimin Evropian, Josep Borrell, ka thënë se blloku ka dënuar helmimet “në shkallën më të fuqishme”.

“Përdorimi i armëve kimike nën çfarëdo kushte është plotësisht i papranueshëm dhe shkelje e ligjit ndërkombëtar”, ka thënë Borrell, duke bërë thirrje që Moska të hetojë incidentin “në mënyrë të thuktë dhe transparente”.

“Rasti i Alekei Navalnyt nuk duhet të mbetet i pazgjidhur. Ata që janë përgjegjës duhet të përballen me drejtësinë”, ka shtuar mes tjerash ai.

Navalny, politikan dhe hulumtues i korrupsionit, njëherësh një prej kritikëve më të mëdhenj të presidentit rus, Vladimir Putin, është sëmurë më 20 gusht gjatë një udhëtimi me aeroplan, derisa ka qenë duke udhëtuar nga Siberia në Moskë.

Ekipi i Navalnyt dyshon se ai është helmuar përmes një çaji që ka pirë në aeroport, përpara se të nisej drejt Moskës.

Çfarë është Noviçoku?

Noviçok është pjesë e një grupi të agjentësh të avancuar, që është zhvilluar nga ish-Bashkimi Sovjetik në vitet 1970, 1980.

Agjentët e tillë kanë efekte të ngjashme sikurse agjentët tjerë – bllokojnë sinjalet prej nervave në muskuj, duke shkaktuar dështim të shumë funksioneve trupore.

Agjentët noviçokë janë krijuar për më qenë më toksikë sesa armët kimike, andaj disa versione të tyre kanë efekt të menjëhershëm – nga 30 deri në dy minuta.

(Kosova Sot Online)