Hoti zotohet se s’do të ketë shkurtime buxhetore për komunat në vitin 2021

  • E.K /
  • 03 September 2020 - 11:49
Hoti zotohet se s’do të ketë shkurtime buxhetore për komunat në vitin 2021

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, është zotuar se nuk do të ketë shkurtime buxhetore për Komunat e Kosovës në vitin 2021.

Këtë zotim e ka bërë kreu i Qeverisë gjatë një komunikimi me Asociacionin e Komunave të Kosovës.

Zotimi i Hotit vjen pas reagimeve që erdhën pasi Ministria e Financave kishte paraparë shkurtime buxhetore për vitin 2021 në raport me vitin 2020 për 32.85 milionë euro.

Hoti ka siguruar komunat se minusi i mjeteve financiare për komunat do të kompensohet përmes krijimit të një Fondi për Rimëkëmbjen Ekonomike të Komunave. Për komunat e vogla do të ketë një grant fiks shtesë sikurse e kanë pasur më herët. Po ashtu buxheti total i komunave do të jetë i njëjti në vitin 2021 siç ishte në vitin 2020.

Kryetarët e Komunave për shkak të shkurtimeve nga Ministria e Financave kishin vendosur që të mos e votojnë në Komisionin e Granteve rishikimin e buxhetit në kuadër të rishikimit të Kornizës Afatmesme të Shpenzimeve 2021-2023.

(Kosova Sot Online)