Osmani në takim me shefin e EULEX’it, kërkon të rritet efektiviteti i organeve gjyqësore në kohë pandemie

  • E.K /
  • 04 September 2020 - 11:11
Osmani në takim me shefin e EULEX’it, kërkon të rritet efektiviteti i organeve gjyqësore në kohë pandemie

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani është takuar sot me shefin e Misionit të EULEX-it, Lars-Gunnar Wigemark.

 Në takim sipas njoftimit për media është biseduar për situatën aktuale me pandeminë Covid-19 dhe menaxhimin e saj.

“Wigemark ka përgëzuar kryetaren Osmani për miratimin ne Kuvend të Ligjit për Pandeminë, me të cilin sigurohet baza ligjore për menaxhim më efikas të kësaj situate. Shefi i EULEX-it shprehu shqetësimin për dinamikën e ulët të proceseve gjyqësore gjatë kohës së pandemisë. Teksa kryetarja Osmani potencoi se mbrojtja e të drejtave të palëve në procese gjyqësore dhe evitimi u vonesave është me rëndësi në kohë pandemie”, thuhet në njoftim.

Në këtë kontekst është përmendur edhe çështja e zgjedhjes së avokatit të popullit. Të dy palët u dakorduan që ky proces duhet të shoqërohet me respektim të bazës ligjore, në mënyrë që në krye të këtij institucioni të vihet person i përgatitur profesionalisht dhe me integritet.

(Kosova Sot Online)