Paralajmërmi i Haradinajt, nënshkrimi i marrëveshjes ku flitet edhe për Ujmanin rrëzon Qeverinë

  • E.K /
  • 04 September 2020 - 15:44
Paralajmërmi i Haradinajt, nënshkrimi i marrëveshjes ku flitet edhe për Ujmanin rrëzon Qeverinë

Kryetari i AAK’së, Ramush Haradinaj ka dhënë sinjale se do të rrëzohet qeveria nëse marrëveshja që do të nënshkruhet sot në Shtëpinë e Bardhë përfshinë edhe Liqenin e Ujmanit.

Haradinaj ka deklaruar se është kundër një marrëveshje që i mundëson përfshirje Serbisë në resurset e Kosovës në këtë rast në Ujman.

Partneri i koalicionit qeverisës i ka çuar mesazh kryeministrit Hoti se mund të rrëzohet nga pozita e Shefit të Qeverisë nëse nënshkruan një marrëveshje ku i jep çasje Serbisë në Liqenin e Ujmanit në veri të Kosovës.

“Kjo do të ketë ndikim të madh në të gjitha marrëdhëniet që kemi politike sepse AAK-ja nuk është e gatshme për bashkëpunim as në qeverisje dhe në çfarëdo forme, që të ndihmojë në një marrëveshje ku Serbia qoftë edhe indirekt bëhet palë në resurset e Kosovës”, ka thënë ai për REL.

Kosova dhe Serbia pritet të nënshkruajnë marrëveshje sot në Shtëpinë e Bardhë, ndërkaq pjesë e ceremonisë së nënshkrimit do të jetë edhe presidenti amerikan Donald Trump.

Amerikanët ndërkaq kanë paralajmëruar se kushdo që del kundër kësaj marrëveshjeje, do të ketë Shtetet e Bashkuara të Amerikës kundër vetes.

Ndërkaq kryeministri Hoti është i gatshëm të nënshkruaj marrëveshjen, për të cilën janë dakorduar në bisedimet e djeshme, që poashtu janë kryer në Shtëpinë e Bardhë.

Në takimet e djeshme, nga AAK’ja si pjesë e Qeverisë ka marrë pjesë ministri i Drejtësisë, Selim Selimi. Pjesë e delegacionit kosovar në Uashington është edhe kryediplomatja Meliza Haradinaj, që po ashtu përfaqëson edhe AAK’në.

Ndryshe, sot llogaritet të jetë e premte e madhe për Kosovën dhe Serbinë. Shtëpia e Bardhë ka njoftuar se Presidenti Trump do të marrë pjesë në nënshkrimin e marrëveshjes, e më pas do të takojë bashkë Vuçiqin e Hotin, si përfaqësues të dy shteteve.

Emisari i Trumpit për dialogun Kosovë – Serbi, Richard Grenell, ka thënë ka shkruar në Tëitter se e djeshmja ka qenë ditë produktive dhe se është optimist për zhvillimet që do të ndodhin sot.

Kryeministri Hoti ka thënë dje pas diskutimeve që quan në dakordime, se nga Shtëpia e Bardhë nuk do të dalë një marrëveshje e keqe apo e dëmshme për Kosovën.

Marrëveshja Kosovë – Serbi prietet të nënshkruhet në orën 11:05, sipas kohës lokale në Uashington, që i bie të jetë ora 5 pasdite në Kosovë.

(Kosova Sot Online)