Trumpi refuzon ta dënojë Rusinë për helmimin e kryeopozitarit Navalny

  • E.K /
  • 05 September 2020 - 11:48
Trumpi refuzon ta dënojë Rusinë për helmimin e kryeopozitarit Navalny

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka refuzuar që ta dënojë Rusinë rreth helmimit të figurës opozitare, Aleksei Navalny, duke thënë se nuk i ka parë dëshmitë.

Kreu i Shtëpisë së Bardhë tha se ky rast është tragjik, por u bëri thirrje gazetarëve që të përqendrohen te Kina, për të cilën tha se është kërcënim më i madh për botën sesa Rusia, shkruan BBC.

NATO-ja dhe Gjermania kanë thënë se ekzistojnë dëshmi përtej dyshimeve se Navalny është helmuar me Novichok. Ekipi i këtij politikani ka thënë se Navalny është helmuar me urdhrin e Kremlinit.

Navalni, aktivist kundër korrupsionit që për një kohë të gjatë ka qenë figura kryesore e opozitës, ndodhet në komë në një spital të Berlinit pasi u dërgua atje me aeroplan nga Siberia, ku ndodhej kur iu përkeqësua shëndeti.

Megjithatë, presidenti amerikan tha se ende nuk ka parë dëshmi të helmimit në këtë rast. “Nuk di saktësisht çfarë ka ndodhur. Mendoj se është tragjike, është e tmersshme, nuk do të duhej të ndodhte. Ne nuk kemi ende ndonjë dëshmi, por do t’ia hedh një sy”, tha kreu i Shtëpisë së Bardhë.

Të premten, NATO-ja i bëri thirrje Rusisë që ta bëjë publik programin e saj për Novichokun para monitoruesve ndërkombëtarë. Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, tha se vendet anëtare janë të bashkuara për dënimin e sulmit të tmerrshëm ndaj Navalnyt.

(Kosova Sot Online)