Shpërthejnë 6 aparate të klimës, vdesin 13 besimtarë në një xhami të Bangladeshit

  • E.K /
  • 05 September 2020 - 12:19
Shpërthejnë 6 aparate të klimës, vdesin 13 besimtarë në një xhami të Bangladeshit

Së paku 13 persona kanë vdekur nga shpërthimi i një gypi të gazit afër një xhamie në Bangladesh. Përpos viktimave, nga shpërthimi u lënduan 30 persona të tjerë.

Shpërthimi ndodhi të premten në mbrëmje në një xhami në distriktin Narayanganj, afër kryeqytetit Daka. Zjarrfikësit besojnë se shpërthimi është shkaktuar nga rrjedhja e gazit nga një gyp, shkruan Reuters.

Dhjetëra persona u dërguan me urgjencë në spitalin për djegie dhe kirurgji plastike. Shumica e tyre ishin me djegie të rënda nga flakët.

Samanta Lal Sen, koordinator në spital, bëri të ditur se në mesin e viktimave është edhe një fëmijë. Sipas tij, numri i personave të vdekur mund të rritet për shkak se shumë prej të lënduarve ndodhen në gjendje kritike.

Sipas zyrtarëve të zjarrfikësve, gazi që është mbledhur në xhami pas rrjedhjes nga gypi besohet se e ka nxitur shpërthimin vdekjeprurës.

Abdullah Al Arefin, zyrtar i lartë i zjarrfikësve, tha se gjatë incidentit kanë shëprthyer gjashtë aparatet për kondicionim të ajrit në xhami. Autoritetet i kanë nisur hetimet për këtë rast.

(Kosova Sot Online)