Thaçi: Marrëveshja e Uashingtonit rezultat i një procesi dyvjeçar, jam i lumtur dhe krenar

  • E.K /
  • 07 September 2020 - 11:46
Thaçi: Marrëveshja e Uashingtonit rezultat i një procesi dyvjeçar, jam i lumtur dhe krenar

Presidenti Hashim Thaçi thotë se të premten në Shtëpinë e Bardhë u formalizuan përpjekjet nga bisedimet e tij me zyrtarët e lartë amerikanë në dy vitet e fundit. Sipas Thaçit, marrëveshja e së premtes i hodhi poshtë ato që ai i quan “konspiracione dhe paragjykime”.

Thaçi thotë se në të gjithë takimet që ai i ka pasur me Presidentin amerikan, Donald Trump, ai i ka folur për vlerësimet që ka për Kosovën. 

“Në të gjitha takimet që kam zhvilluar me Presidentin Trump, më ka folur për Kosovën si një vend të mrekullueshëm”.

Presidenti thotë se marrëveshja që u nënshkruar nga kryeministri Avdullah Hoti të premten është përpjekje e punës. Këtu Thaci përmend kontributin që vlerëson se e ka dhënë vetë ai.

“Ndihem i lumtur dhe krenar që pas përpjekjeve dhe punës së përbashkët për dy vjet, të premten e kaluar arritëm që në Shtëpinë e Bardhë të formalizohen këto marrëveshje”

Thaçi, marrëveshjet e nënshkruara të premten, i ka quajtur si hapin më serioz të Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor.

“Hasëm në vështirësi, pengesa, konspiracioni nga shumë anë. Me formalizimin e marrëveshjes, u konfirmuar se ato kanë qenë të rrejshme dhe paragjykuese”.

Thaçi e ka quajtur angazhimin e ambasadorit Richard Grenell si “energjik dhe shumë profesional”.

(Kosova Sot Online)