Thaçi për mungesën e tij në Shtëpinë e Bardhë: Nuk ka rëndësi prezenca fizike

  • E.K /
  • 07 September 2020 - 12:31
Thaçi për mungesën e tij në Shtëpinë e Bardhë: Nuk ka rëndësi prezenca fizike

Presidenti Hashim Thaçi mungoi në takimin në Shtëpinë e Bardhë, ku Kosova e Serbia nënshkruan marrëveshje ndaras, në praninë e presidentit amerikan, Donald Trump. Ai thotë se nuk ka lidhje që s’ishte i pranishëm në takimet e Uashintonit.

Presidenti, që ka ndalur cdo vizitë jashtë vendit prej që Prokuroria Speciale në Hagë publikoi dorëzimin e aktakuzës ndaj tij, ka folur për mungesën e tij në Uashington javën e kaluar.

Thaçi në konferencën e mbajtur të hënë, tha se për të nuk është e rëndësishme kush përfaqëson Kosovën, por është e rëndësishme “substanca” e marrëveshjeve.

“Për mua me rëndësi është shpirti dhe substanca e marrëveshjes. Më e rëndësishme sesa prezenca fizike. Kosova mund të ketë sukses me lidershipin e SHBA-së, me atë që mund të arrihet në Shtëpinë e Bardhë. Ndihem tepër mirë që ranë ato fluska të gënjeshtra që u përhapën për thika e për harta. Ku mbetën ato konspiracione e akuza, ata duhet t’u kërkojnë falje qytetarëve për atë konfuzion që e krijonin në opinion politik”, është shprehur Thaçi.

Në bisedimet në Shtëpinë e Bardhë, delegacionin kosovar e ka udhëhequr kryeministri Avdullah Hoti, e rrjedhimisht edhe e ka nënshkruar marrëveshjen.

(Kosova Sot Online)