Vrasësi i dënuar me burgim të përjetshëm arratiset për të katërtën herë nga burgu në Itali

  • E.K /
  • 07 September 2020 - 14:41
Vrasësi i dënuar me burgim të përjetshëm arratiset për të katërtën herë nga burgu në Itali

Giuseppe Mastini, 60 vjeç, i cili ishte dënuar me burgim të përjetshëm në vitin 1989, është arratisur nga një burg i sigurisë së lartë në Sardenjë të Italisë. Policia e ka nisur një operacion në mbarë vendin pasi i burgosuri nuk u gjend në mesditën e së dielës.

Mastini më parë ishte arratisur nga lirimi i përkohshëm ditor nga burgu Fossano në pjesën veriore të Italisë në vitin 2017. Tri vjet më herët, ai gjithashtu e kishte shfrytëzuar lirimin ditor për të marrë pjesë në një koncert në Romë, shkruan The Guardian.

I lindur në provincën e Bergamos, Mastini e kishte terrorizuar Romën në vitet e shtatëdhjeta dhe të tetëdhjeta me disa lloje të krimeve, përfshirë vrasjet, rrëmbimet dhe vjedhjet. Ai është hetuar edhe për vdekjen e drejtorit italian të filmit, Pier Paolo Pasolini.

Ai është i njohur me nofkën Johnny lo Zingaro për shkak të origjinës së tij familjare. Mastini e ka kryer vrasjen e parë kur ishte vetëm 15 vjeç, kur kishte vrarë një vozitës të tramvajit.

Në vitin 1987, atij i ishte ofruar lirim i përkohshëm gjatë ditës si rezultat i sjelljes së mirë. Në atë kohë, ai kishte qëndruar në arrati për disa javë dhe gjatë asaj periudhe kishte kryer disa vjedhje.

Sindikatat e policisë janë shprehur të zemëruara për arratisjen e fundit të Mastinit, duke bërë thirrje që të ndryshohet legjislacioni që mundëson lirim të përkohshëm nga burgu të personave të dënuar për krime të rënda.

(Kosova Sot Online)