Zvicra heq nga lista e vendeve “me rrezik të lartë” këto shtete

  • E.K /
  • 07 September 2020 - 15:47
Zvicra heq nga lista e vendeve “me rrezik të lartë” këto shtete

Zyra Federale e Shëndetit Publik (FOPH) të hënën azhurnoi listën e saj të vendeve që vlerësohet se kanë një rrezik të lartë të infeksionit nga koronavirus dhe hoqi Belgjikën, Meksikën, Luksemburgun, El Salvadorin, Eswatini (ish-Svaziland), Kazakistanin, Kirgistanin dhe Omanin.

Por në listën e 55 vendeve me rrezik të lartë shtoi: Kroacinë, Polinezinë Franceze, Guajanën, Libanin, Libinë, Paraguain, San Marino, Trinidad dhe Tobago, Ukrainë dhe Emiratet e Bashkuara Arabe, raporton swissinfo.ch

Sipas rregullave zvicerane, kushdo që hyn në Zvicër nga një prej vendeve në listën e re duhet të shkojë në karantinë për dhjetë ditë për të ndihmuar në frenimin e përhapjes së Covid-19, ose rrezikon një gjobë.

Kush mund të udhëtojë?

Sipas masave aktuale Covid-19, udhëtimi mbetet i mundur midis Zvicrës dhe shumicës së vendeve të tjera të Bashkimit Evropian, EFTA dhe Mbretërinë e Bashkuar.

Sidoqoftë, për shkak të një rritje të infeksioneve udhëtarët nga Zvicra në Mbretërinë e Bashkuar duhet të hyjnë në karantinë për 14 ditë.

Ata që udhëtojnë nga shumica e vendeve jashtë shëngenit mund të hyjnë në Zvicër vetëm në raste të jashtëzakonshme.

Autoritetet zvicerane kanë krijuar një listë të 19 vendeve të sigurta jo-Shengen të cilat nuk preken nga ky ndalim.

Që nga mesi i prillit Zvicra ka dëshmuar një rritje të ngadaltë të rasteve të reja të koronavirusit në një mesatare shtatë ditore prej 324 në ditë.

Sidoqoftë, numrat ditorë luhaten. Më 4 shtator, 405 raste janë regjistruar në Zvicër dhe Lihtenshtajn gjatë 24 orëve të mëparshme, ndërsa më 7 shtator, ka pasur 191 raste të reja. Pavarësisht rritjes së fundit, Stefan Kuster, kreu i sëmundjeve ngjitëse në FOPH; tha javën e kaluar se ai nuk ishte i shqetësuar. Situata ishte gjithashtu e qëndrueshme për sa i përket shtrimeve në spital dhe vdekjeve, tha ai.

“Për momentin nuk po flasim për një valë të dytë. Po flasim për një rritje të ngadaltë të infeksioneve. Përpjekjet e popullsisë dhe kantoneve po japin fryte” tha ai.

(Kosova Sot Online)