Tolaj: Rënia e numrit të infektuarve lidhet me imunitetin kolektiv, Kosova në gjysmë të rrugës me Covid 19

  • E.K /
  • 08 September 2020 - 12:20
Tolaj: Rënia e numrit të infektuarve lidhet me imunitetin kolektiv, Kosova në gjysmë të rrugës me Covid 19

Kosova do të vazhdojë të përballet edhe për disa javë me shifra të njëjta të të infektuarve me Covid 19. Infektologu, Ilir Tolaj shprehet se vendi është në gjysmë të rrugës për ta fituar betejën me virusin. Deklaron se shifrat më të ulëta të ditëve të fundit, vijnë si rezultat i shkallës së lartë të përhapjes së infeksionit në vend e jo si pasojë e masave të qeverisë. Por, Tolaj thotë se numri i rasteve që humbin betejën me koronavirusin do të vazhdojë ta përcjellë Kosovën edhe për tri apo katër javë të tjera.

Ulja e numrave me infeksionin Covid 19 në Kosovë nuk është bërë si rezultat i masave anti covid të Qeverisë së Kosovës.

Infektologu Kosovar Ilir Tolaj në një përgjigje është shprehur se rënia e numrit të përgjithshëm të rasteve është më shumë pasojë e shkallës së lartë të përhapjes së infeksionit e që rrjedhimisht rezulton edhe me krijimin e një shkalle të caktuar të imunitetit kolektiv, sesa që është rezultat i masave antikovid.

“Jemi dëshmitar se respektimi i këtyre masave nga qytetarët është jashtëzakonisht i vogël, kurse edhe masat në segmente të caktuara janë jologjike, duke i ndihmuar mosrespektimit të tyre”, ka deklaruar Tolaj për Express.

Tutje ai është shprehur se Kosova ka ende punë për të bërë deri në normalizimin e situatës sa i përket infeksionit me Covid 19.

Tolaj thotë se imuniteti kolektiv i krijuar në Kosovë nuk është ende në atë shkallë sa që të sigurojë ndërprerjen e epidemisë/pandemisë dhe kalimin në fazën kur do të kemi shumë më pak raste të reja, gjegjësisht kur rastet e reja do të jenë sporadike. 

“Sipas vlerësimi tim, Kosova është diku në gjysmë të rrugës të arritjes së këtij qëllimi. Kështu që në të ardhmen mund të kemi ende periudha me numër më të madh të rasteve të reja me Covid 19”, deklaron infektologu Ilir Tolaj.

Ai deklaron se në bazë të situatës epidemiologjike në Kosovë kishte dhënë edhe versionin e tij se kur do të ulen rastet me Covid 19 në Kosovë.

“Unë, në kohën kur numri i rasteve Covid 19 pozitiv ishte mbi 200 në ditë, publikisht pata deklaruar se pas një periudhe (1-2 javë) numri i rsateve  të reja do të pësojë rënie kurse numri i rasteve fatale do të vazhdojë të jetë përafërsisht i njëjtë edhe për disa javë (3-4 javë) të tjera. Ashtu edhe po ndodhë”, thotë Tolaj.

(Kosova Sot Online)